Ballina Kulturë Ndërron jetë Rick Davies, bashkëthemeluesi dhe këngëtari i grupit muzikor “Supertrump”

Ndërron jetë Rick Davies, bashkëthemeluesi dhe këngëtari i grupit muzikor “Supertrump”

19
0

Rick Davies, bashkëthemeluesi dhe vokalisti kryesor i grupit muzikor britanik “Supertramp”, ka vdekur në moshën 81-vjeçare.

Muzikanti, i njohur për hitet si “Goodbye Stranger”, “Breakfast in America” dhe “The Logical Song”, vdiq të shtunën pas një beteje me kancerin, bëri të ditur grupi në një deklaratë.

Atij i ishte diagnostikuar më shumë se 10 vite më parë mieloma multiple, një lloj kanceri në gjak.

“Si bashkautor, së bashku me partnerin Roger Hodgson, ai  ishte zëri dhe pianisti pas këngëve më ikonike të ‘Supertramp’, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës rok”, thuhet në faqen zyrtare të grupit. “Vokali i tij shpirtëror dhe prekja e papërsëritshme në ‘Wurlitzer’ u bënë zemra e tingullit të grupit”.

“Përtej skenës, Rick njihej për ngrohtësinë, qëndrueshmërinë dhe përkushtimin ndaj bashkëshortes së tij Sue, me të cilën jetoi mbi pesë dekada”, shton deklarata. “Muzika dhe trashëgimia e Rick-ut vazhdojnë të frymëzojnë shumëkënd dhe janë dëshmi se këngët e mëdha nuk vdesin kurrë, ato jetojnë”.

Davies lindi në Swindon në vitin 1944. Dashuria e tij për muzikën nisi që në fëmijëri, kur dëgjoi “Drummin’ Man” të Gene Krupa-s, gjë që i ndezi një pasion të përjetshëm për xhazin, bluzin dhe rock’n’roll-in.

Ai dhe Hodgson formuan grupin që më vonë do të merrte emrin “Supertramp” në vitin 1969. Edhe pse përbërja e grupit ndryshoi disa herë, periudha më e njohur mbetet ajo midis viteve 1973-1983, me Davies dhe Hodgson përkrah Dougie Thomson (bas), Bob Siebenberg (bateri) dhe John Helliwell (saksofon).

Në atë kohë ata nxorrën albumin e tyre të parë dhe arritën suksesin më të madh me ”Breakfast In America” në 1979, nga i cili dolën këngë të suksesshme si “The Logical Song”, “Breakfast in America”, “Goodbye Stranger” dhe “Take the Long Way Home”.

Pas largimit të Hodgson në vitin 1983, i cili nisi një karrierë solo, Davies mbeti anëtari i vetëm konstant i “Supertramp”  gjatë gjithë historisë së tij.