Republika e Maqedonisë së Veriut sot shënon 34 vjetorin e pavarësisë së saj nga ish-federata jugosllave, përmes një referendumi popullor, i cili e shpalli atë shtet të pavarur dhe sovran.
Shpërbërja e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), pjesë e së cilës ishte vendi, ndodhi si rezultat i një vargu trazirash politike në fillim të viteve të 90’ta të shekullit të 20-të.
Në referendumin që u mbajt më 8 shtator të vitit 1991, qytetarët u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran. Pas shpalljes së pavarësisë, shtetësinë e Maqedonisë, ndër shtetet e para, e pranuan Turqia dhe më pas edhe shtetet e tjera.
Pas votimit të deklaratës për sovranitet të shtetit, Kiro Gligorov u zgjodh presidenti i parë i Republikës së pavarur të Maqedonisë. Në aspektin monetar shteti u pavarësua me vendosjen e denarit më 26 prill të vitit 1992, ndërsa më pas formoi armatën, të cilën e shënon më 18 gusht.
Shtetësinë e Maqedonisë e para e njohu Republika e Bullgarisë, pas çfarë pasuan njohjet nga Turqia, Sllovenia, Kroacia, Rusia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Subjektiviteti juridiko-ndërkombëtar i shtetit përfundimisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB), Maqedonia u pranua si anëtarja e 181-të e plotfuqishme e organizatës botërore.