Ballina Politika Zgjedhjet në Himarë, opozita cakton Petro Gjikurinë si kandidat për kryebashkiak

Zgjedhjet në Himarë, opozita cakton Petro Gjikurinë si kandidat për kryebashkiak

9
0

Petro Gjikuria do të jetë kandidati i opozitës për Kryebashkiak të Himarës, në zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen në 4 gusht.

Biznesmeni shqiptaro-amerikan Petro Gjikuria do të garojë përballë Vangjel Tavos, kandidatit të propozuar nga Partia Socialiste.

Ky i fundit jeton në SHBA dhe njihet si mbështetës i çështjes së Fredi Belerit, kur ai u burgos për blerje votash në zgjedhjet e 14 majit për të cilën u dënua me 2 vite. Gjithashtu Gjikuria njihet si pjesë e organizatës amerikane Pan-Epirote dhe si mbrojtës i të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.

Zgjedhjet në Bashkinë e Himarës do të mbahen më 4 gusht ndërsa sipas projektvendimit të KQZ, kandidatët do të kenë në dispozicion, vetëm 1 javë kohë për të organizuar fushatën e tyre.

Zgjedhjet për Himarën do të zhvillohen pasi kryetari i zgjedhur në 14 maj të 2023, Fredi Beleri u dënua me vendim të formës së prerë me 2 vite burg për korrupsion në zgjedhje.

Beleri nuk arriti të marrë zyrtarisht detyrën e Kryebashkiakut, pasi nuk u lejua të betohet para Këshillit Bashkiak, ndërsa ishte në gjykim në GJKKO.