Ballina Kulturë Shpella e Lek Petës, gjeomonumenti i rrallë i Kurveleshit, së shpejti i...

Shpella e Lek Petës, gjeomonumenti i rrallë i Kurveleshit, së shpejti i vizitueshëm

8
0

Në Progonat, Tepelenë, gjendet shpella e “Lek Petës”, monument natyre, e cila është zbuluar afro 30 vjet më parë nga ekspertë të fushës së speologjisë greke dhe italiane.

Bashkia e Tepelenës bën të ditur se “ekipi i ekspertëve vizitoi sot këtë vepër të krijuesit, një objekt shkëmbor tejet i veçantë formësuar nga tretja gëlqerore e kretakut të sipërm”.

“Aktualisht po punojmë për matjen e distancave nevojave për ndërhyrje me qëllim që së shpejti të jetë një monument i vizitueshëm dhe t’i shtohet listës së aktiviteteve turistike në zonën tonë”, tha bashkia.

Gjithashtu bashkia i bën apel të gjithë banorëve të zonës dhe jo vetëm, që monumenti të ruhet dhe të mos i thyhen pjesët e brendshme dekoruese, pasi e humbet vlerën e rrallë që ai ka.

Gjatë vizitës ekspertët konstatuan thyerje dhe grumbullim të këtyre formave nga njerëz, të cilët i përdorin për dekorimin e ambienteve private.

Bashkia e Tepelenës theksoi se “ky veprim është i dënueshëm me ligj”.

Shpella është e stolisur me stalaktite e stalagmite me përmasa dhe madhësi të ndryshme. Ajo ka gjurmë të hershme banimi dhe ka një gjatësi afro 200 metra dhe ndodhet në rrjedhjen e sipërme të Përroit të Thatë në lartësinë 1200 m. atsh