Ballina Kulturë Pse tabelat e neonit ishin kaq të përhapura përgjatë Route 66

Pse tabelat e neonit ishin kaq të përhapura përgjatë Route 66

32
0

Teksa po udhëtoja në një pjesë të Route 66, që kalon përmes Albuquerque, në shtetin e New Mexico-s, e gjeta veten të rrethuar nga drita e dhjetëra tabelave të neonit përgjatë rrugës, të cilat ndriçonin edhe më fort se hëna e plotë mbi kokën time.

Ato dukej sikur më ftonin të kthehesha në një kohë tjetër. Reklamonin motele, pika karburanti dhe lloj-lloj biznesesh përgjatë rrugës. I ulur në një makinë klasike amerikane të modifikuar, me karroceri të ulët dhe fenerë neoni ngjyrë vjollcë, ndihesha sikur po udhëtoja në një univers tjetër, të krijuar tërësisht nga dritat e neonit.

Një histori e shkurtër e Route 66

Route 66 ka zënë prej kohësh një vend të veçantë në imagjinatën e amerikanëve. E ndërtuar në vitin 1926, kjo rrugë shtrihet nga liqeni Michigan deri në Los Angeles dhe përshkon mijëra kilometra fusha të gjera shkretinore dhe pllaja shkëmbore, përpara se të arrijë në bregdetin e Oqeanit Paqësor. Ajo u kthye në një arterie të rëndësishme ekonomike, që solli zhvillim për shumë komunitete rurale. Për të përfituar nga fluksi i udhëtarëve, shumë prej tyre hapën motele, dyqane dhe atraksione të ndryshme përgjatë rrugës.

Shkrimtari John Steinbeck i dha asaj nofkën “Rruga Nënë” (Mother Road) në librin e tij të vitit 1939, The Grapesof Wrath. Ai donte të përshkruante mijëra emigrantët që, gjatë Depresionit të Madh, iu drejtuan kësaj rruge në kërkim të punës në bregdetin e Kalifornisë. Ndërkohë, kënga e famshme e Nat King Cole, “Route 66”, e vitit 1946, ndihmoi në përforcimin e vendit të saj në kulturën popullore. Me kalimin e kohës, Route 66 u bë simbol i joshjes së Perëndimit amerikan dhe i vlerave që lidhen me të, si individualizmi, liria dhe jeta kalimtare.

Si u përhapën tabelat e neonit përgjatë Route 66

Dritat e neonit mbeten një nga elementet më karakteristike të pamjes së Route 66. Në çdo pjesë të kësaj rruge mund të shohësh tabela të ndritshme blu, jeshile ose portokalli, me kaktusë, kapele kaubojsh dhe reklama motelesh që tregojnë se ka dhoma të lira, me drita të kuqe që ndriçojnë natën. Por si u bënë neonët kaq të përhapur në këtë rrugë të famshme?

Përgjigjja është e thjeshtë: përpara Google Maps dhe aplikacioneve për planifikimin e udhëtimeve, tabelat e neonit u jepnin shoferëve një mënyrë të lehtë për të gjetur ushqim, akomodim dhe shërbime të tjera gjatë natës. Për më tepër, periudha e lulëzimit të neonit përkoi me atë të Route 66, duke i bërë të dyja një kombinim të përsosur.

Tabela e parë e neonit u krijua në fillim të shekullit XX nga inxhinieri francez Georges Claude dhe teknologjia mbërriti në SHBA në vitet 1920. Pronari i një pike shitjeje makinash në LosAngeles, Earle C. Anthony, mendohet të ketë qenë biznesmeni i parë amerikan që përdori reklamat neoni. Ai porositi dy tabela me emrin “Packard”. Në vitin 1924 u vendos edhe tabela e parë e neonit në Times Square.

Nga vitet 1930 deri në vitet 1950, tabelat e neonit u përhapën në mbarë botën dhe u bënë pjesë e pandashme e Route 66. Shumë prej tyre pasqyronin kulturën, mitologjinë dhe veçoritë e zonave ku vendoseshin. Ndër simbolet më të përdorura ishin zogjtë mitikë të stuhisë, kaktusët saguaro, kaubojtë mbi kuaj dhe simboli Zia me katër cepa, që përfaqëson diellin sipas traditave të popujve indigjenë të zonës.

Në vitet 1960, interesi për neonin nisi të bjerë. Risia e tij nuk ishte më aq tërheqëse, shqetësimet për përdorimin e plumbit u shtuan dhe ndriçimi LED ofroi një alternativë më të sigurt dhe më të lirë. Shumë tabela u braktisën, por me kalimin e viteve interesi për to është rikthyer disa herë. Disa janë ruajtur me kujdes ose janë restauruar, si ato që zbukurojnë qendrën e Albuquerque. Të tjera janë zhvendosur në ambiente të mbyllura. Muzeume të dedikuara tabelave të neonit gjenden në Las Vegas, Saint Louis dhe qytete të tjera.

Rikthimi i neonit sot na kujton të kaluarën

Një nga mënyrat më të mira për të shijuar dritat e neonit është të udhëtosh me një lowrider, një makinë amerikane të modifikuar me karroceri të ulët, që u bë e famshme pas Luftës së Dytë Botërore, kryesisht mes të rinjve meksikano-amerikanë. Unë udhëtova me një makinë të tillë, së bashku me Jessica Roybal, e cila më tregoi se e kishte nisur karrierën duke fotografuar gra dhe fëmijë në komunitetet e dashamirësve të këtyre makinave, përpara se të blinte automjetin e saj.

Tabelat e neonit shkëlqenin sipër nesh si planetë, ndërsa sistemi hidraulik i modifikuar i makinës na ngrinte dhe na ulte vazhdimisht. Roybal shpjegoi se shumë prej njerëzve që udhëtonin dikur në Route 66 e dinin se mund të mos ktheheshin më kurrë në shtëpi. Mendova se Route 66, me gjithë dritat e saj të neonit dhe ftesat joshëse drejt vendeve misterioze në shkretëtirë, duhet të ketë qenë edhe më magjepsëse në atë kohë, kur për shumë njerëz ishte vërtet një udhëtim pa kthim.

Megjithatë, këto tabela të ndritshme kishin më shumë një qëllim praktik sesa artistik. Ato ishin krijuar për të tërhequr njerëzit dhe paratë e tyre drejt qyteteve të vogla dhe bizneseve përgjatë autostradës. Në këtë kuptim, ato kishin të njëjtin qëllim si vetë rruga, madje edhe si Amerika në tërësi: të ofronin një premtim, një ëndërr, një thirrje joshëse në errësirën e shkretëtirës.

Mbi ne, hëna qëndronte e ndriçuar, ndërsa drita e saj përzihej me atë të neonit. Njerëzit na përshëndesnin me buzëqeshje dhe tundje koke teksa kalonim me makinë. Xhamat ishin të hapur dhe një fllad i ngrohtë nëntori hynte brenda. Në Route 66, jeta vazhdonte të rridhte.

Më herët gjatë asaj dite, kishim ndaluar te Hacienda Motel, një motel historik që po shndërrohej në një hapësirë me disa restorante dhe pika ushqimi. Bizneset vendase, shumë prej të cilave në pronësi të hispanikëve, do të ftoheshin të vendoseshin në dhomat e tij. E zonja na tregoi se punimet e rinovimit ishin kryer me shumë kujdes, duke ruajtur një pemë që i ati i saj i ndjerë e kishte dashur shumë. Pema ngrihej mbi ndërtesat e vogla prej qerpiçi. Pas saj, një tabelë neoni e restauruar me kujdes reklamonte një fallxhore, e cila nuk parashikonte më të ardhmen aty.

E ardhmja e Amerikës ndonjëherë duket e paqartë. Ndoshta kjo është arsyeja pse kthehemi vazhdimisht tek e kaluara dhe te premtimet e saj të neonit për zhvillim të pandërprerë dhe zgjerim pa fund. Ndoshta prandaj na tërheq kaq shumë nostalgjia për një botë që ndoshta nuk ka ekzistuar kurrë, por dikur dukej sikur të paktën premtonte se mund të bëhej realitet.

Diku në largësi, vinçat fluturonin mes reve, pa parë as nga e ardhmja dhe as nga e kaluara.