Një 30-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi lëvizte me taksi duke mbajtur me vete një armë zjarri pa leje. Në pranga ka përfunduar edhe pasagjeri tjetër që udhëtonte në të njëjtin automjet. Në kuadër të operacionit “Taksimetri” u vunë në pranga Petrit Shima 30 vjeç dhe Redion Hymeri, 25 vjeç të dy banues në Thumanë.
Njoftimi:
Tiranë/Finalizohet nga Komisariati Nr. 2, operacioni i koduar “Taksimetri”.
Lëvizte me taksi, i armatosur me pistoletë, arrestohet në rrugën “Sami Frashëri”, një 30-vjeçar, banues në Thumanë. Në pranga edhe pasagjeri tjetër në mjet, i cili shoqëronte 30-vjeçarin.
Të dy të arrestuarit, shtetas me precedentë penalë. Ata kundërshtuan me dhunë, efektivët që i shoqëruan, dhe dëmtuan ambientet e komisariatit.
Sekuestrohet arma e zjarrit me 15 fishekë.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të një informacioni të siguruar gjatë punës operative, për një shtetas që kishte lëvizur me armë zjarri me vete, nga Kruja drejt Tiranës, shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Nr. 2 finalizuan operacionin e koduar “Taksimetri”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit Petrit Shima 30 vjeç dhe Redion Hymeri., 25 vjeç, të dy banues në fshatin Thumanë.
Taksia në të cilën ishte pasagjer shtetasi i dyshuar, Petrit Shima u ndalua në rrugën “Sami Frashëri”.
Gjatë kontrollit fizik, 30-vjeçarit iu gjet 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, të cilën e posedonte pa leje.
Me të njëjtin mjet lëvizte edhe 25-vjeçari, i cili nuk kishte kallëzuar krimin.
Të dy shtetasit kanë goditur punonjësit e Policisë, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, dhe më pas, kanë dëmtuar ambientet e dhomës së shoqërimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të metejshme.







