“Objektivi im ishte vetëm Erogen Vaso pas një problemi personal me të”, kështu ka deklaruar Ragip Gila.
Në këtë mënyrë është zbardhur deklarata e parë që ka dhënë shtetasi Ragip Gila në polici pasi u arrestua si autori i dyshuar që vrau dy shtetasit Armando Pali dhe Liridon Kraja dhe plagosi dy të tjerë, Erogen Vaso dhe kamarieren Meri Kaceri.
“Erogen Vaso ka ndenjur duke më kërcënuar dhe kisha probleme me të. Më ka bërë si i fortë dhe më ka çuar fjalë. E kam patur personale vetëm me Erogen Vason dhe doja të qëlloja vetëm atë. Pra kam patur probleme personale me të”, mësohet të ketë thënë autori i dyshuar Gila pas marrjes në pyetje në polici.
Ndërkohë mësohet se i arrestuari gjatë tentativës për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë është rrëzuar nga një lartësi poshtë shinave të trenit në shtratin e lumit Kir duke dëmtuar këmbën.
Në ato momente i është bërë thirrje për të hedhur armën dhe për t’u dorëzuar dhe Gila i është përgjigjur thirrjeve të policisë duke thënë se e ka hedhur armën, është dorëzuar dhe se i dhemb këmba.
Menjëherë më pas efektivët e kanë vënë në pranga ndërsa tashmë 30 vjeçari ka dhënë edhe deklaratën e tij të parë duke thënë se objektiv kishte Erogen Vason pas problemeve personale me të.
Policia e ka marrë me rezervë këtë deklaratë dhe po hetohen nëse ka persona të tjerë pas tij që mund ta kenë porositur për të kryer vrasjen e 43 vjeçarit Erogen Vaso i cili mbeti i plagosur dhe ndodhet në spitalin ushtarak në Tiranë.