Ballina Aktualitet ​Kurti kujton 100-vjetorin e zgjedhjes së Fan Nolit kryeministër i Shqipërisë

​Kurti kujton 100-vjetorin e zgjedhjes së Fan Nolit kryeministër i Shqipërisë

29
0

Sot janë mbushur 100 vjet nga dita kur Fan Noli u bë kryeministër i Shqipërisë.

Në kabinetin e Nolit ishin shtatë ministri, njëra prej tyre pa portofol: Sulejman Delvina ministër i Jashtëm, Rexhep Shala – ministër i Brendshëm, Luigj Gurakuqi – ministër i Financave, Stavro Vinjau – ministër i Arsimit, Kasëm Qafëzezi – ministër i Luftës, Qazim Koculi – ministër i Bujqësisë, Xhemal Bushati – ministër pa portofol.

Në shënim të kësaj date, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Fan Noli erdhi në krye të Shqipërisë si një nga drejtuesit e Lëvizjes së Qershorit 1924, e cila përmbyti qeverinë e Iljaz Vrioni, një eksponent në pushtet i liderit politik Ahmet Zogu.

Kjo përmbysje e quajtur edhe revolucion, ishte rezultat i përplasjeve të ashpra dhe rivaliteteve të forta politike në vitet e para pas Luftës së Parë Botërore, kur po përcaktohej natyra e shtetit shqiptar dhe kur po definoheshin kufijtë e tij, ka shkruar Kurti në Facebook.

Tri ditë pasi ishte konstatuar, qeveria e Nolit e shpalli programin e saj të reformave prej 20 pikash, në të cilin ndër të tjera parashihej vendosja e demokracisë në Shqipëri. Sidoqoftë, këto reforma nuk erdhën as për së afërmi në shprehje të realizoheshin, pasi Noli qëndroi në detyrë vetëm gjashtë muaj.

Ahmet Zogu, i cili pas largimit nga Shqipëria ishte strehuar në Beograd, e organizoi një rikthim në pushtet me forcë dhe trupa të armatosura. Në dhjetor 1924, Fan Noli bashkë me qeverinë dhe mbështetësit e krahut politik të tij, u përmbysën nga Ahmet Zogu.

Kurti ka theksuar se përkundër kohës së shkurtër sa ishte kryeministër, Fan Noli tregoi shembullin e një burrështetasi që u përpoq ta orientonte drejt Shqipërinë si një vend që do të demokratizohej.

“Për fat të keq, përpjekja e tij ishte e para në atë periudhë fillimesh të shtet-ndërtimit shqiptar dhe mbeti e tillë deri në dekadën e fundit të shekullit. Pas largimit të Nolit nga zyra e kryeministrit, për Shqipërinë do të niste një periudhë e gjatë pushtetesh autoritare dhe diktatoriale. Eruditi Theofan Stilian Noli, do të jetonte edhe dyzet vjet të tjera deri më 1965, duke e ndërtuar një profil mbresëlënës prej dramaturgu e poeti, teologu e studiuesi, përkthyesi poliglot, politikani patriot e njeriu të përkushtuar për shqiptarinë”, ka përfunduar Kurti.