Ballina Aktualitet Avokati i Popullit e denoncoi se mbajti 10 muaj më tepër në...

Avokati i Popullit e denoncoi se mbajti 10 muaj më tepër në burg një person, KLP fal prokuroren, ia ul pagën vetëm 10% për 6 muaj

80
0

Një qytetar ka qëndruar në burg për 9 muaj e 18 ditë më shumë nga sa duhej, pasi prokurorja e ekzekutimeve Albjona Papajani nuk kishte përllogaritur në masën e dënimit periudhën e paraburgimit që ai kishte vuajtur në Greqi. Pavarësisht shkeljes që cenoi drejtpërdrejt lirinë personale të të dënuarit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) vendosi të pranojë vetëm pjesërisht kërkesën për masë disiplinore ndaj prokurores, duke i ulur pagën me 10% për gjashtë muaj.

Rasti u bë objekt hetimi pas ankesës së paraqitur nga i dënuari I.K. pranë Institucionit të Avokatit të Popullit, më 24 korrik 2024. Qytetari pretendonte se nuk i ishte llogaritur si kohë e vuajtjes së dënimit periudha e qëndrimit në burgjet greke, ndërsa nuk kishte përfituar as uljen e dënimit sipas Ligjit nr. 33/2024 për dhënie amnistie.

Nga hetimi administrativ i Avokatit të Popullit rezultoi se qytetari kishte vuajtur padrejtësisht 9 muaj e 18 ditë burgim. Shkak ishte bërë mosllogaritja nga prokurorja e ekzekutimeve e periudhës së paraburgimit në Greqi, ku qytetari ishte mbajtur për shkak të kërkesës për ekstradimin e tij në Shqipëri.

Avokati i Popullit ndërhyri për lirimin e menjëhershëm dhe kërkoi hetim disiplinor

Gjatë hetimit administrativ të Avokatit të Popullit, prokurorja urdhëroi burgun për lirimin e menjëhershëm të të dënuarit, pasi u konstatua se ai e kishte përmbushur dënimin.

Por, përtej lirimit të qytetarit, Avokati i Popullit kërkoi edhe përgjegjësi për shkeljen e konstatuar.

Institucioni iu drejtua Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), duke rekomanduar fillimin e procedurave të verifikimit për të vlerësuar nëse kishte fakte të mjaftueshme për nisjen e hetimit disiplinor ndaj prokurores së ekzekutimeve A.P., pranë Prokurorisë së Beratit.

ILD kërkoi uljen e pagës deri në 40% për një vit

Pas hetimit disiplinor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë konstatoi se prokurorja kishte neglizhuar në mënyrë të përsëritur detyrimet ligjore në lidhje me ekzekutimin e vendimeve penale dhe bashkimin e dënimeve, duke mos përfshirë në përllogaritjen e dënimit periudhën e paraburgimit të qytetarit në Greqi.

Në përgjigjen e dërguar Avokatit të Popullit,  datë 20.07.2026, ILD bëri me dije se hetimi disiplinor kishte përfunduar dhe se ndaj magjistrates ishte propozuar masa disiplinore: ulje e përkohshme e pagës deri në 40%, për një periudhë jo më të gjatë se një vit.

Sipas ILD-së, shkelja ishte e rëndë, pasi kishte cenuar drejtpërdrejt të drejtën themelore të lirisë personale. Inspektori paralajmëroi gjithashtu se neglizhenca të tilla mund të përsëriten edhe në raste të tjera, duke sjellë pasoja të rënda për personat e dënuar.

KLP pranon pjesërisht kërkesën, vetëm 10% ulje page për gjashtë muaj

Megjithatë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të mos e pranojë në masën e kërkuar propozimin e ILD-së.

Në vendimin e marrë sot, KLP pranoi pjesërisht kërkesën për procedim disiplinor, duke caktuar ndaj prokurores Albjona Papajani masën disiplinore të uljes së pagës me vetëm 10% për një periudhë gjashtëmujore.

Kështu, për një shkelje që i kushtoi një qytetari gati 10 muaj liri, propozimi i ILD-së për uljen e pagës deri në 40% për një vit u zëvendësua nga KLP me një masë dukshëm më të lehtë: 10% ulje page për gjashtë muaj.