Ballina Ekonomia Banka e Shqipërisë: Tensionet e brendshme sociale dhe protestat po kërcënojnë ekonominë

Banka e Shqipërisë: Tensionet e brendshme sociale dhe protestat po kërcënojnë ekonominë

51
0

Banka e Shqipërisë deklaroi se tensionet e brendshme sociale dhe protestat janë shndërruar në një faktor të ri rreziku për ekonominë e vendit. Në Raportin Tremujor të Politikës Monetare, BSH paralajmëroi se këto zhvillime mund të frenojnë aktivitetin ekonomik dhe të nxisin rritjen e çcmimeve.

“Në ekonominë vendase, një burim shtesë pasigurie lidhet me tensionet sociale. Vijimi apo përshkallëzimi i protestave mund të cenojnë besimin e konsumatorëve, bizneseve dhe investitorëve, duke ndikuar në vendimet e tyre për konsum dhe investime. Në varësi të kohëzgjatjes dhe intensitetit të tyre, këto zhvillime mund të ndikojnë negativisht në aktivitetin ekonomik, veçanërisht në sektorët e turizmit dhe të shërbimeve,” thuhet në raport.

Gjithashtu, Banka Qendrore paralajmëron se këto zhvillime mund të kenë efekt zinxhir edhe te çmimet e konsumit. “Ndërkohë, rreziqet për të ardhmen diktohen nga tensionet gjeopolitike, rritja e çmimeve energjetike në tregjet ndërkombëtare, si dhe tensionet e brendshme sociale. Këta faktorë mund të ushqejnë presionet inflacioniste, të cenojnë besimin e agjentëve ekonomikë dhe të ndikojnë negativisht në ecurinë e aktivitetit në të ardhmen e afërt,” vlerëson institucioni.

Prej muajsh Shqipëria po përballet me protesta të pandërprera kundër korrupsionit, keqqeverisjes dhe rritjes së kostove të jetesës. Pas revolucionit të flamingove, vala e protestave u zhvendos tek studentët dhe të rinjtë, të cilët kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe largimin e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si arkitektin e sistemit të korrupsionit galopant që është instaluar në vend.