Ballina Ekonomia Do të vijnë trenat? Hapet tenderi për elektrifikimin e hekurudhës Tiranë-Durrës

Do të vijnë trenat? Hapet tenderi për elektrifikimin e hekurudhës Tiranë-Durrës

13
0

Qytetarët do mund të udhëtojnë me tren nga Tirana në Durrës dhe anasjelltas vitin e ardhshëm. Me shtrimin e trasesë Hekurudha Shqiptare ka hapur edhe tenderin për “Elektrifikimin e linjës hekurudhore Durrës–Tiranë dhe lidhjen e re hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”.

Sipas procedurës së publikuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që financon pjesën dërrmuese të projektit, elektrifikimi do të zhvillohet në dy faza.

“Faza e parë përbëhet nga propozimi teknik si dhe një listë devijimesh nga kërkesat e dokumenteve të tenderit ose zgjidhje teknike alternative me arsyetimet përkatëse që përmbushin objektivat bazë të projektit. Faza e dytë përfshin propozimin teknik të përditësuar, duke përfshirë të gjitha ndryshimet e kërkuara, të regjistruara në memorandum ose të shkaktuara nga ndryshime të dokumenteve të tenderit pas dorëzimit të fazës së parë”.

Aktualisht, përveç trasesë së linjës hekurudhore, po punohet edhe për ndërtimin e stacioneve të kësaj linje hekurudhore. Hekurudha Tiranë–Durrës dhe degëzimi drejt Rinasit kanë një gjatësi prej 39 kilometrash. Trenat do të jenë elektrikë dhe do të përshkojnë distancën për 22 minuta. Në total do të ndërtohen 11 stacione përgjatë gjithë linjës.

Ky projekt fillimisht u financua me një kredi prej rreth 70 milionë eurosh nga BERZH, ndërsa në fillim të këtij viti qeveria kërkoi një shtesë prej 40 milionë eurosh për të mbyllur punimet.

Sipas qeverisë, kjo shtesë u kërkua për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve të ndërtimit, që e kanë shtuar ndjeshëm koston, ndërkohë që një pjesë e saj do të përdoret për ndërtimin e stacioneve. (A2)