Ballina Politika “Rama nxirrte postet si prestigjiator”, Preç Zogaj analizon qeverinë e re: Katapultohen...

“Rama nxirrte postet si prestigjiator”, Preç Zogaj analizon qeverinë e re: Katapultohen njerëz pa karrierë, nuk ka asnjë katolik

18
0

Analisti Preç Zogaj, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, duke analizuar përbërjen e qeverisë së re “Rama 4” u shpreh se Rama ka katapultuar njerëz pa karrierë në krye të dikastereve, siç ka patur edhe në të kaluarën. Sipas Zogajt Rama me këtë përbërje qeverisëse është kryeministër dhe ministër i të gjithave, duke theksuar edhe një minus të madh të këtij kabineti ku mungojnë emra nga veriu i vendit.

“Kjo qeveri ka nga pak nga të gjitha. Ka edhe vazhdim, disa që konfirmohen. Ka edhe përzierje të letrave, ka ndërruar dikasteret. Ka ndonjë promovim, si Besfort Lamallari. Sikundër ka nga këto, improvizime apo ekstravaganca, ku Rama katapulton njerëz pa karrierë.

Gjithnjë kemi patur që vijnë pa karrierë politike. Nuk paragjykoj. Ka qenë dikur një ministër i Jashtëm nga Kosova. Është ministrja e Shëndetësisë sot apo i Bujqësisë. Nuk i paragjykoj, madje mendoj se i kanë kualitetet në profesionet e tyre, por mendoj se posti i ministrit, është një post ku finalizohet një karrierë politike, nuk starton.

Në politikë do të marrësh përgjegjësi politike. Rama e ka thyer këtë lloj ligjësie, me këto ekstravagancat e veta, që kanë dështuar të gjitha deri sot. Shumë nga këta ministra janë zhdukur pa nam dhe nishan. Ministria duhet të krijojë histori. Këtë pashë pak a shumë.

Gjithçka është në linjën e natyrës së një autokracie elektorale, siç po quhen regjimet ku fiton gjithmonë një njeri. Është në linjën e një lloj autokracie elektorale, ku kryetari e personifikon fund e krye fitoren dhe i befason krejt të tjerët. Të gjithë mbanin frymën dhe askush nuk e dinte, Rama nxirrte postet si prestigjiator. Edhe në SHBA ka një diskutim për kandidatët.

Pra është e natyrës së regjimit.

Rama në këtë rast është kryeministër dhe ministër i të gjithave.

Që kur është krijuar shteti shqiptar, qeveritë janë kompozuar duke respektuar diversitetin që karakterizon Shqipërinë, diversitet fetare, krahinore, gjuhësore, e me rradhë. Të gjithë qeveritë kanë bërë ndonjë përpjekje të shprehin këtë. Mua mu duk, se kjo është qeveria më e zhbalancuar, nga pikëpamja e balancimit të diversiteteve. Më vjen habi pasi PS ka marrë shumë mandate në veri. Nuk ka asnjë ministër katolik, vetëm një ministre virtuale si Diella”- tha Zogaj.