Ballina Opinion Njeriu apo inteligjenca artificiale?

Njeriu apo inteligjenca artificiale?

0
10

Nga Ditmir Bushati 

Nuk është një temë debati apo çështje titujsh sensacional vetëm në Shqipëri. Tema është aktuale por përgjigjja në shoqëritë demokratike vjen përmes politikave që bazohen në studime të mirë-vërtetuara.

Puna krijuese vjen gjithnjë përmes përpjekjesh të mundimshme. Orë të tëra të kaluara duke parë faqen bosh, projekte të hedhura tutje e të rinisura nga fillimi. Shkurt, çdo punë krijuese e çdo projekt kërkon kohë e përkushtim. A mund ta ndryshojë Inteligjenca Artificiale këtë gjë? A mund të kemi produkt pa punë dhe pa përpjekje? A mund ta zëvendësojë Inteligjenca Artificiale njeriun?

Një studim i fundit i Universitetit të Harvardit arrin në përfundimin se, Inteligjenca Artificiale, edhe pse ka lehtësuar ndjeshëm jetën tonë, nuk mund ta zëvendësojë njeriun, dhe as nuk mund të shërbejë si ilaç ndaj vesit njerëzor.

Elementë të caktuar të procesit të punës së njeriut mund t’i besohen Inteligjencës Artificale. Por në ato raste ku puna ka lidhje të drejtpërdrejtë me përgjegjësinë individuale, ligjore apo pronësinë intelektuale, Inteligjenca Artificiale nuk e zëvendëson dot njeriun.

Inteligjenca Artificiale kërkon përgatitjen e burimeve njerëzore dhe një kulturë të lartë institucionale, çka shpesh na mungon. Përdorimi i saj, pa krijuar një sistem që bazohet mbi dijen dhe meritën, nuk na i lan hesapet as me korrupsionin dhe as me keqqeverisjen. Është mirë të fokusohemi se si Inteligjenca Artificiale mund të përmirësojë punën tonë në një aspekt apo fushë specifike. Bota njeh plot të tilla si: zbulimet në fushën e ilaçeve, proteinave apo mjekësisë.

Falë zhvillimeve teknologjike, kushdo që përgatit një ligj, dokumentacion specifik për një garë, shkruan një artikull apo një libër mund ta bëjë atë më shpejt me një bashkë-autor të inteligjencës artificiale. Për shembull, më ka ndodhur që ta thërras në ndihmë Inteligjencën Artificiale për të përmirësuar një punë që mund të më ketë marrë ditë apo javë të tëra.

Ndërkohë që Inteligjenca Artificiale e ka përmirësuar në vetëm pak sekonda. Qëllimisht e konsiderova “bashkë-autor” pasi nuk është vetëm shkrimi. Gjithçka fillon prej të menduarit. Pra, në asnjë rast nuk mund të kontraktohet përgjegjësia njerëzore, sepse gjykimi njerëzor mbetet i pazëvendësueshëm për shoqërinë.

Ndaj, duhet të nxisim edukimin që zhvillon kapacitetin njerëzor duke lexuar vetë, bie fjala një tekst të caktuar, dhe jo ta marrim të gatshëm nga Inteligjenca Artificiale. Duhet ta luftojmë dembelizmin dhe politikat që ofrohen si përftuese të aftësive për hir të aftësive.

Të rinjtë duhen motivuar për të ruajtur nivelin e përsosmërisë njerëzore që brezat e mëparshëm e kanë bërë të mundur, edhe pse është tunduese ta kontraktojnë atë. Duhet të gjejmë mënyra për t’u përqendruar në të jetuarit e një jete njerëzore, pa e cenuar atë, duke përmirësuar standardet përmes vlerësimit të dijes dhe përpjekjeve njerëzore, dhe jo duke rendur pas eksperimenteve të dëmshme.