Ballina Opinion PAMFLET/ Mos ma prek karriken time!

PAMFLET/ Mos ma prek karriken time!

57
0

Nga Abdurrahim Ashiku 

Mos ma prek karrigen time !
Mos ma prek se të shiton zana !
Është e popullit !
Mes popullit jam edhe unë, emigranti 83 vjeçar.
Kam djersë dhe gjak në të !
Ashtu siç kam në çdo pasuri të popullit !
Mos ma prek !
Boll ma, boll zotni, i kam opingat e grisura…
Më preke tokën që mbaja shpirtin me bukë!
E ndave me ligjin 7501, me litar, secilit nga një copë, secilin nga një  minë në dorë, minë që nuk pushon së shpërthyeri sinorëve !
Shkatërrove bujqësinë, kullimin, industrinë, shkencën… me themel, pa tu dridhur dora e pa të vra ndërgjegjja !
Shkatërrove themelin e prodhimit bujqësor?
E dini sa nitrat amoni, ure etj. prodhonte Azotiku i Fierit?
Prodhonte në 24 orë 900 tonë plehra bujqësorë !

Prodhohej 340 tonë në 24 orë pleh dhe nitrat amoni. Në dy uzinat e tjera të uresë secila prodhonte nga 240 ton në 24 orë !

Po te llogarisësh totalin e prodhuar ne 24 ore i bie diku te gjysmë milion euro, kurse totali vjetor i te ardhurave diku te 220 milion euro !

Ne do kishim me shume te ardhura duke shitur nitrat amoni te fqinjët, sesa prodhime bujqësore te eksportuar sot !

Po kështu edhe prodhimi i superfosfatit në Laç !
Shkule me rrënjë plantacionet e mëdha frutore të Dibrës, Korçës, plantacionet e mëdha të agrumeve e të ullirit, Lukovën e bukur si në ëndërr !
Po kështu edhe institutet shkencore të Lushnjës, Shkodrës, Vlorës, Tiranës…
Brenda një viti, në kulmin e skamjes dhe varfërisë, u ndërtua hekurudha Durrës Tiranë. Në vijim treni shkoi në Pogradec, në Vlorë, në Mallakastër, në Shkodër, në Han të Hotit e më tej në Evropë !
Ka 33 vjet që numri i pasagjerëve në linjat hekurudhore është zero !
Vetëm një gjë nuk arrite ta shkatërrosh, hidrocentralet mbi lumin Drin, atë të Fierzës, Komanit e Vaut të Dejës. Pate frikë nga nëma e maleve!
Ato mbi lumin Mat, të Ulzës e të Shkopetit, ato të Bistricës, i fale për “një Euro” !
Shqipëria zinte vendin e tretë në botë për nxjerrjen e kromit, të parin për frymë të popullsisë. Mbi shpatullat dhe duart e minatorëve përcillej pesha e një milionë tonë krom në vit. Minatori me 10 vjet punë nën tokë e 50 vjet moshë merrte pensionin më të madh të kohës. Sot ai është i harruar, pa status, me pension që matet me atë një pastrueseje zyre!
Shkatërruat dhe tjetërsuat minierat e kromit të Bulqizës, Martaneshit, Balgjajt, Cerujës, Kamit të Tropojës, duke formuar trustin e “lulekromit” që ka uzurpuar tërë ekonominë shqiptare !
Minierat e bakrit të Mirditës, Pukës etj. rridhnin flori të pastër. Uzinën e   Rubikut ku floriri dilte i pastër e shkatërruat, e vodhët, ashtu siç shkatërruat uzinën moderne të prodhimit të telave në Shkodër duke nxjerrë në rrugë të madhe e duke i treguar rrugën e kurbetit dhjetëra mijëra njerëzve!
Nuk latë në qendrat e fshatrave të bashkuar një çerdhe, një kopsht, një mami infermiere, një mjek, një spital. Ju sfidoj të më gjeni një mami-infermiere të vetme në një fshat të largët në malet e Shqipërisë, të jugut, të qendrës e të veriut !
Nuk e di në se ka ndonjë njeri, i moshës time apo i lindur në vitet ’90-të, të mos ketë dëgjuar, parë e përjetuar krismat  e kallashnikovëve që zgjuan dhe vranë pranverën 1997, shkatërrimin e ushtrisë dhe armën mbrojtëse të kombit, që e lanë Shqipërinë të vetmin në Evropë (pse jo në botë) pa armë, pa ushtri, lakuriq me duar në xhepa përpara klimës së një lufte të re botërore !
Mund të vazhdoj pa u ndalë, me kokën ulur për vete dhe për të tjerët që atëherë, kur çdo ditë lëçisnim gazetave “çekun e bardhë”, “kuotën zero” dhe prisnim që më 22 mars 1992 shatërvanët në sheshin Skënderbeg do të rridhnin Coca cola, që rrinim në radhë tek Sudja… të sigurt se paratë ishin të pastra ( a nuk e kish thënë presidenti Berisha? ), ishim indiferentë kur flaka e barutit të Gërdecit përvëlonte burra, gra e fëmijë, një tragjedi me 26 viktima, që nuk dolëm në rrugë e ta detyronim Sali Berishën e Lulëzim Bashën me shokë të shtriheshin në bulevard, në krah të viktimave të 21 janarit, që nuk ia premë fletë arrestin për puçin ushtarak të shtatorit e puçet shkatërrimet e tjerë në vijim e deri sot !
Nuk ka shqiptar që nuk i ka parë dhe përjetuar të gjitha !
Po sheh çdo ditë edhe ata që “si ka parë akoma”…
Unë sot, duke parë skenën makabre në parlamentin  shqiptar, skenë e thyerjes së karrigeve dhe dhunës mesjetare, turp që se mban asnjë lloj kandari, pamfletit tim modest i vura një titull:
MOS MA PREK KARRIGEN TIME !
Është e imja, është e jotja, është e jona, i majtë apo i djathtë, shqiptar.
Do të desha që këtë thirrje, bashkë, të djathtë e të majtë, shqiptarë që flasin e mendojnë shqip, ta kishim bërë tridhjetë e tre vjet më parë kur pas zhgjëndrrës së diktaturës na ofruan ëndrrën e demokracisë.
Unë, si gazetar, nga një cep i Shqipërisë, Dibra, modestisht e kam bërë.
Për këtë më gjakosën, më dhunuan, më detyruan të iki që të shpëtoj jetën time dhe të fëmijëve të mi.
Koha është për tu ngrit në këmbë e për të thirre në kor:
MOS MA PREK KARRIGEN TIME !
MOS MA PREK E TË SHITOFTË ZANA !

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu