Një lokal i përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit në mënyrë të kundërligjshme është zbuluar nga policia në rrugën “5 Maji”, si pjesë e operacionit policor të koduar “Game Over 2”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Policinë Rrugore dhe Komisariatin Nr. 4, organizuan një kontroll në një lokal ku u konstatuan pajisje që përdoreshin për këtë aktivitet.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 pajisje kompjuterike, 2 telefona celularë dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.
Në përfundim të veprimeve hetimore, u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, shtetasit:
O. B., 31 vjeç, pronar i lokalit, dhe U. D., 51 vjeç, punonjës i lokalit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.