Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia nisën të hënën një stërvitje ajrore dhe detare pranë një ishulli jug-korean, në stërvitjen e tyre më të fundit të përbashkët që është dënuar nga Koreja e Veriut si një “shfaqje e pamatur force”.
Stërvitja e quajtur ‘Freedom Edge’ synon të forcojë aftësitë e përbashkëta operacionale në det, ajër dhe hapësirën kibernetike, dhe është e nevojshme për të kundërshtuar kërcënimet në rritje bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut, tha Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut, raporton AP.
Komanda Indo-Paqësore e SHBA-së deklaroi se stërvitja do të përfshijë forca ajrore dhe marinsat amerikanë, si dhe ushtrime të avancuara për mbrojtjen kundër raketave balistike dhe ajrore, evakuime mjekësore dhe trajnime për operacione detare, duke e bërë atë “demonstrimin më të avancuar të bashkëpunimit trepalësh në mbrojtje deri më tani”.
Stërvitja pranë ishullit jugor Jeju të Koresë së Jugut do të zgjasë deri të premten.
 
            