Sot u zhvilluar seanca e radhës plenare në Kuvend ku u diskutua projektligji i “Paketës së Maleve”, hapja e zyrës së Parlamentit Evropian në Tiranë dhe shtyrja e afateve të Komisioneve të udhëhequra nga Xhafaj dhe Braçe. Kuvendi ka miratuar me 74 vota pro “marrëveshjen e huasë mes Bankës së Shqipërisë dhe Bashkimi Evropian për lehtësinë e reformave dhe zgjerimit për Ballkanin Perëndimor” e cila parashikon ndihmë financiare 657 mln euro kredi dhe 264 euro grante me fokusin në 5 objektiva kryesore: rritjen e konkurrueshmërisë, kualifikimin e kapitalit njerëzor, konsolidimin e qëndrueshmërisë energjetike, transformimin digjital si dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës. Mbështetja me hua do të vijojë deri në vitin 2027, dhe shlyerja e këtyre kredive nga Shqipëria do të nisë në vitin 2034, dhe koha për t’i shlyer të gjitha fondet e marra si kredi nga BE do të jetë 40 vite.
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së facilitetit mes Shqipërisë dhe BE-së” mori 73 vota pro, kurse ai për “Paketën e Maleve” mori përveç 73 votave pro të mazhorancës, edhe 1 kundër dhe 1 abstenim të deputetëve opozitarë. Kultivimi i kanabisit mjekësor mori shumicë votash me 74 prej tyre, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Projektligji për asistencën 73 vota pro dhe abstenimin e deputetit Leskaj.
Sot u miratuan edhe shtyrjet e afateve të Komisioneve të Posaçëm dhe të Dezinformimit të Fatmir Xhafajt dhe Erion Braçes me 73 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve lidhur me hapjen e përfaqësisë së Bankës Evropiane të Investimeve në Shqipëri” siguroi 72 vota pro dhe asnjë kundër apo abstenim.
Disa projektligje të tjera të miratuara sot:
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim të Abu Dhabi-t për financimin e projektit “Sistemi i kamerave nën administrimin e Policisë së Shtetit – Smart City” për Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme mori 74 vota pro, 1 kundër e Bujar Leskajt dhe asnjë abstenim.
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë, si huamarrës, Bankës së Shqipërisë, si agjent i huamarrësit, dhe Bashkimit Evropian, të përfaqësuar nga Komisioni Evropian, si huadhënës, për “Lehtësinë e reformës dhe zgjerimit për Ballkanin Perëndimor”, mori 74 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar” mori 73 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.