Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur akuza të rënda lidhur me sigurinë e informacionit të NATO-s, duke pretenduar se sekrete të rëndësishme të Aleancës janë vjedhur nga Ergys Agasi dhe më pas “i janë dorëzuar klanit Troplini”.
Deklaratat Berisha i bëri nga selia e PD-së, ku komentoi takimin e kryeministrit Edi Rama me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Bruksel. Sipas kryedemokratit, Rutte i ka shprehur Ramës shqetësimin e tij për rastin.
“Natyrisht aty ka pasur çështje madhore, çështja e dorëzimit të sekreteve të mëdha, sekreteve transatlantike që Aleanca i ka dorëzuar, Aleanca ua çon vendeve anëtare dhe ato janë vjedhur nga Ergys Agasi dhe janë dorëzuar klanit Troplini, siç u pa puna e bashkëpunimit të saj me Vlora Hysenin e të tjerë”, deklaroi Berisha.







