Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar mundësinë e krijimit të një formacioni të ri politik nga studentët protestues, ku të mos bëjnë pjesë as Partia Socialiste dhe as Partia Demokratike. I pyetur nëse Shqipëria mund të shkojë drejt një skenari të ngjashëm me atë serb, Berisha e mohoi një paralele të tillë, duke theksuar se në Serbi nuk ekzistonte një forcë opozitare e krahasueshme me PD-në.
Pyetjes së një qytetareje, e cila iu referua diskutimeve për krijimin e një fronti apo partie të re nga studentët, Berisha iu përgjigj duke theksuar se e drejta për të krijuar formacione të reja politike është pjesë e pluralizmit dhe demokracisë.
“Unë kurrë nuk mund të kem asnjë lloj qëndrimi negativ ndaj atyre që duan të krijojnë formacionin e tyre politik. Për mua, pluralizmi politik është shtyllë kryesore e demokracisë dhe cilido ka të drejtën e tij të veprojë sipas mendimit, dëshirës së tij”, deklaroi Berisha.
Megjithatë, ai u shpreh se situata në Shqipëri nuk ka ngjashmëri me zhvillimet në Serbi. Sipas tij, atje lëvizja studentore u drejtua nga infrastruktura shtetërore universitare, me rektorin e Beogradit dhe dekanët në krye të saj.
“Pra, nuk kishte në Serbi një parti opozitare siç është Partia Demokratike”, theksoi Berisha, duke iu referuar rolit të PD-së në skenën politike shqiptare.
Në fund, kreu i opozitës u shpreh se studentët kanë të drejtë të ndërmarrin çdo hap politik, por i këshilloi të mos mbështeten te ajo që ai e cilësoi si perceptim jorealist për zhvillimet në vend.
Deklarata e Berishës vjen në një kohë kur në protestat e studentëve është diskutuar edhe mundësia e krijimit të një alternative të re politike, jashtë dy forcave kryesore, PS-së dhe PD-së.







