Përballë rritjes së temperaturave dhe rrezikut të zjarreve, kryeministri Edi Rama thotë se i ka propozuar Këshillit të Ministrave që të gjithë forcat në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes që janë angazhuar për shuarjen e zjarreve të shpërblehen menjëherë me një pagë shtesë.
“I kam propozuar qeverisë që të gjitha forcave që i përkasin Ministrisë së Mbrojtjes të shpërblehen menjëherë dhe jo në fund me një pagë ekstra. U bëj thirrje edhe bashkive të bëjnë të njëjtën gjë për trupat e tyre në territor dhe ta bëjnë menjëherë, pa pritur të mbarojë e gjithë beteja”, tha Rama.
Kryeministri tha se këtë vit Shqipëria hyn në sezonin e zjarreve me kapacitetet më të mëdha që ka pasur ndonjëherë. Sipas tij, vendi ka në gatishmëri katër helikopterë, që në rast nevoje mund të bëhen gjashtë, ndërsa në fund të vitit flotës ajrore do t’i shtohen edhe tre avionë zjarrfikës, që do të jenë pronë e shtetit shqiptar. Ai shtoi se në monitorimin e territorit do të përdoren edhe dronë me një sistem të ri.
“Kemi në dispozicion kapacitetet më të mëdha që kemi pasur ndonjëherë, me katër helikopterë të gatshëm, të cilët në çdo moment nevoje mund të bëhen gjashtë. Kemi mbyllur procedurën për tre avionë që do të vijnë në fund të vitit dhe do të jenë pronë e shtetit shqiptar”, tha Rama.
Rama u ndal edhe te situata dramatike në Francë dhe Spanjë, ku qindra mijëra banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë për shkak të flakëve. Ai tha se këto ngjarje janë një paralajmërim edhe për Shqipërinë, e cila duhet të jetë e përgatitur për çdo skenar.
“Ajo që po ndodh në Francë dhe Spanjë nuk është diçka që duhet të na bëjë të pyesim nëse mund të ndodhë edhe tek ne, por vetëm sa të përgatitur jemi kur të ndodhë”, tha Rama.
Shefi i qeverisë u shpreh i gatshëm që të ndihmojnë Francën dhe Spanjën në rast se vendin tonë do t’i kërkohet ndihmë.







