Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me rastin e Erjon Vishkullit, pasi motra e 28-vjeçarit të plagosur në sy gjatë protestës ka kundërshtuar deklaratat e tij për mbulimin e shpenzimeve mjekësore nga shteti. Në reagimin e tij, Rama këmbëngul se ndërhyrja për trajtimin e të riut në Itali është mundësuar me financim shtetëror, duke deklaruar se iniciativën për këtë shërbim e ka marrë personalisht.
Edi Rama:
Motra e djalit nga Elbasani paska postuar tekstin bashkëngjitur, prandaj me shumë keqardhje më duhet t’i rikthehem kësaj teme për këdo që e lexon, shpërndan apo publikon postimin e saj.
Siç informova më parë, iniciativën për shërbimin e specializuar mjekësor të djalit në Itali nuk e kanë marrë “persona” po e kam marrë unë personalisht dhe vajta e tij në Romë me avion mjekësor, si edhe mbulimi i shpenzimeve janë mundësuar pikërisht nga SHTETI dhe nga askush tjetër!
Madje i kam uruar të shkuara përpara se sa të nisej bashkë me të vëllanë nga salla VIP e aeroportit, prej ku nisem për jashtë edhe unë vetë, Presidenti i Republikës apo Kryetari i Kuvendit.
Aspak për protagonizëm, sepse protagonizmin këto ditë e kanë të gjithin dhunuesit dhe nxitësit e tyre, po për humanizëm, sepse kur pushon marrëzia e gurëve e molotovëve, edhe dhunuesit e lënduar janë qytetarë të këtij vendi që duhen ndihmuar, mjekuar, shëruar. Të shkuara edhe njëherë.







