Në fund të muajit të kaluar, grupi Concord, konglomerati në pronësi të familjes Dulaku, njoftoi blerjen e resortit St Georges Bay Country Club në Korfuz.
Ndonëse shifra e transaksionit nuk u bë publike, vlerësimet e përafërta bazuar në çmimin për çelës dhe sipërfaqen e tokës tregojnë se bëhet fjalë oër një blerje në rendin e mbi 20 milionë eurove.

St Georges Bay Country Club është një hotel me 4 yje i cili ka 86 dhoma dhe zotëron një sipërfaqe prej 60 mijë metër katrorësh toke.
Sipas njoftimit të Concord dhe Melias, hoteli do t’i nënshtrohet investimeve të reja për t’u shndërruar me 5 yje, ndërsa numri i dhomave do të rritet në 140 brenda vitit 2028 dhe do të operohet nën markën e Melias.
Ajo e St Georges Bay Country Club ishte blerja e parë e madhe e një biznesi në Greqi nga një grup shqiptar. Por kapitali mes dy vendeve po lëviz edhe në forma të tjera.
Balfin dhe Jumbo
Një tjetër marrëveshje e rëndësishme në rendin e qindra milionë eurove është ajo midis grupit grek Jumbo dhe atij shqiptar Balfin. Grupi në pronësi të Samir Manes operon markën Jumbo në katër vende të rajonit si Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi dhe Bosnje me një rrjet prej 26 dyqanesh.

Muajin e kaluar, në informimin e analistëve mbi rezultatet financiare të Jumbo, u njoftua se të dy grupet do të zgjeronin marrëveshjen e tyre të franchising në gjashtë tregje të reja, të gjitha vende ish-Bashkimi Sovjetik: Ukrainë, Gjeorgji, Armeni, Azerbajxhan, Kazakistan, Uzbekistan.
Ndryshe nga praktika e mëparshme, në këto tregje Balfin do të zhvillojë vet rrjetin logjistik në mënyrë autonome me një seli qendrore shpërndarjeje në Kinë, duke marrë plotësisht përsipër menaxhimin e zinxhirit të furnizimit.
Balfin sot operon në 11 vende, duke u përqendruar në tregtinë me pakicë dhe shumicë, turizmin, bankat dhe menaxhimin e aseteve, argëtimin dhe pasuritë e paluajtshme. Nga Shqipëria dhe Evropa deri – së fundmi – në SHBA dhe Kanada. Grupi punëson mbi 5,500 persona dhe vitin e kaluar pati të ardhura prej 880 milionë eurosh dhe 120 milionë fitime neto.
Në fakt, Mane është biznesmeni i parë shqiptar që bleu një kompani greke. Në vitin 2019, ai bleu degën e saj në Tiranë nga Banka e Piraeusit për 64 milionë dollarë.
Kastrati, SHELL-i vjen nga Greqia
Grupi Kastrati, i cili operon në 12 sektorë, kryesisht në energji, ndërtim, turizëm, sigurime dhe pasuri të paluajtshme, është gjithashtu duke shqyrtuar mundësi investimi në Greqi, shkruajnë mediat greke.
Në nëntor të vitit 2024, Kastrati Energy arriti një marrëveshje me Coral S.A., në pronësi të grupit Vardinoyannis, dhe Coral Albania Sha për hapjen e stacioneve të karburanteve Shell në Shqipëri.

Zhvillimi filloi në Tiranë në fund të vitit të kaluar me tre stacionet e para dhe gjashtë të tjera pritet të jenë funksionale brenda këtij viti. Gazeta greke Protothema shkruan se grupi Kastrati mund të hyjë së shpejti në Greqi me investime në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Zyra e Shërbimeve Ekonomike dhe Tregtare e Ambasadës Greke në Tiranë thekson në një shënim se “sipas burimeve të lajmeve dhe vlerësimeve të tregut, po formohet një valë e gjerë investitorësh të pasur që po blejnë pasuri të paluajtshme ose shtëpi pushimi në vende si Greqia, Italia dhe Spanja, duke përfituar nga njëra anë nga kursi relativisht i favorshëm i këmbimit të euros, dhe nga ana tjetër nga kuadri më i qartë institucional i pronës”.
Parketi shqiptar në Greqi
Veko, një kompani me seli në kufirin greko-shqiptar, pranë Kakavijës, operon në prodhimin e drurit, dyshemeve me parket dhe dizajnit të mobiljeve. Në vitin 2020, kompania e zotëruar nga Dhimosten dhe Stavro Koça zgjeroi aktivitetet e saj në Greqi dhe Qipro përmes një dege të re, Forresttech, duke forcuar kështu shitjet e tij në të dy tregjet.
Veko i tregton produktet e saj në Greqi përmes Kappawood, me seli në Janinë, si partneri dhe përfaqësuesi kryesor i grupit shqiptar. Vitin e kaluar Veko kishte një xhiro prej rreth 8 milionë eurosh në Shqipëri dhe numëronte rreth 105 të punësuar.
Deri më tani, investimet e bizneseve shqiptare jashtë vendit kanë qenë sporadike dhe të izoluara. Por kjo po ndryshon. Me rritjen e tyre, grupet më të mëdha të biznesit në vend, po shohin përtej kufijve për mundësi të reja zgjerimi.







