Ndryshimet klimatike po shkaktojnë tkurrjen alarmante të Detit Kaspik, deti më i madh i mbyllur në botë, i cili ndodhet midis Europës dhe Azisë Qendrore dhe rrethohet nga Azerbajxhani, Irani, Kazakistani, Rusia dhe Turkmenistani.
Sipas një analize të publikuar nga The Conversation nga Dr. Simon Goodman, ligjërues në Universitetin e Leeds, deti është tkurrur në disa zona mbi 50 kilometra, duke e kthyer vijën bregdetare në shtrirje të mëdha rëre të thatë.
Ky ndryshim po rrezikon ekosistemet unike të zonës, përfshirë fokat e Kaspikut dhe peshqit që përdoren për prodhimin e kaviarit, ndërsa portet dhe infrastruktura e peshkimit mbeten “të thata”. Shkencëtarët paralajmërojnë se edhe nëse ngrohja globale kufizohet në +2°C, niveli i ujit mund të bjerë deri në 10 metra, ndërsa me ritmin aktual të emetimeve, rënia mund të arrijë në 18 metra, e barabartë me një ndërtesë gjashtëkatëshe.
Kjo tkurrje po shkakton pasoja të rënda ekologjike, sociale dhe ekonomike: miliona banorë rrezikojnë të shpërngulen, ndërsa shtetet përreth detit përballen me sfidën e mbrojtjes së natyrës, industrisë së naftës e gazit, si dhe korridoreve tregtare strategjike që lidhin Kinën me Europën.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk merren masa të përbashkëta ndërkombëtare, kriza e Kaspikut mund të bëhet një tjetër “katastrofë ekologjike” si ajo e Detit Aral.