Ballina Sport Procesi i bujshëm në Formula 1, ish-piloti çon FIA-n në gjyq dhe...

Procesi i bujshëm në Formula 1, ish-piloti çon FIA-n në gjyq dhe kërkon titullin

27
0

Në muajin tetor pritet të zhvillohet në Londër një nga proceset më të bujshme në historinë e Formulës 1.

Ish-piloti brazilian i Ferrarit, Felipe Masa, ka paditur FIA-n, “Formula One Management” dhe Berni Eklestonin, duke kërkuar njohjen si kampion bote për sezonin 2008 si dhe kompensim financiar deri në 100 milionë euro për dëmet që pretendon se ka pësuar.

Masa humbi titullin në vitin 2008 për vetëm një pikë ndaj Luis Hamiltonit, pas një sezoni dramatik që u mbyll në garën finale në Brazil.

Por braziliani beson se gjithçka u vendos më herët, në Çmimin e Madh të Singaporit, ku një aksident i qëllimshëm nga piloti Nelsinjo Pike, i organizuar nga drejtuesit e ekipit Renault, ndryshoi rrjedhën e garës dhe kampionatit.

Deklaratat e bujshme nga Berni Ekleston në vitin 2023, i cili pranoi se Formula 1 kishte informacione të mjaftueshme për të anuluar atë garë, i hapën rrugën betejës ligjore të Masës.

“Po të ishte anuluar gara e Singaporit, Masa do të ishte shpallur kampion bote dhe jo Hamilton. Më vjen ende keq për të”, është shprehur Ekleston.

Masa kërkon jo vetëm njohjen zyrtare të titullit, por edhe kompensim financiar për dëmet që ka pësuar në karrierë, përfshirë sponsorizime, marketing dhe mundësi të humbura gjatë 17 viteve të fundit.

Sipas raportimeve të ndryshme, shuma mund të arrijë deri në 100 milionë euro.

Seanca pritet të zhvillohet në javët e ardhshme në Gjykatën e Drejtësisë në Londër dhe mund të hapë precedent të paprecedentë në historinë e sportit ndërkombëtar.