Në përputhje me ndryshimet e fundit të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, Administrata Tatimore do të zbatojë deklaratën e re DIVA për vitin 2025.
Një prej risive kryesore të kësaj deklarate është përfshirja e zbritjes prej 48,000 lekësh nga baza e tatueshme për çdo fëmijë nën 18 vjeç, pavarësisht të ardhurave të individit.
“Kjo përfitohet individët e vetëpunësuar, por edhe një individ i punësuar. Kjo zbritje është 48 mijë lekë për çdo fëmijë, nën moshën 18 vjeç, sado të jenë të ardhurat”, tha eksperti i ekonomisë, Edvin Stefani.
Sipas ekspertit Edvin Stefani, për të përfituar këtë rimbursim, deklaratën e të ardhurave mund ta plotësojnë edhe personat me të ardhura më të ulëta, që nuk e kanë detyrim plotësimin e DIVA-s, por e bëjnë për efekt që të kërkojnë rimbursimin prej 48 mijë lekësh nga baza e tatueshme për çdo fëmijë të mitur, vlerë e cila arrin në gati 6 mijë lekë.
“Nuk është 48 mijë lekshi që rimbursohet, rimbursohet tatimi përkatës i 48 mijë lekshit. Pra, 13% e 48 mijë lekshit shkon diku tek 5 mijë lekshi”, sqaroi eksperti.
Ndërkohë që ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat” përfshin edhe zbritjen e shpenzimeve për arsim të fëmijëve deri në 100 mijë lekë në vit, për individët me të ardhura vjetore më pak se 1.2 milionë.
“Jemi në momentin e fillimit të vitit të ri shkollor, e po bëhen pagesat. Të gjithë të interesuarit duhet të kenë parasysh që kanë mundësi në mars të 2026-ës të realizojnë një zbritje të detyrimit të tyre tatimor. Bëhet deklarata personale e të ardhurave dhe krijohet një rimbursim i caktuar në një vlerë e cila është maksimalisht 13% e 100 mijë lekshit të reja”, tha ai.
Eksperti Stefani shpjegon rastet e përfitimit dhe dokumentet që duhen, ku përfshihen edhe kurset private të gjuhëve të huaja.
“Unë do të rekomandoja arsimin e fëmijëve nëpër shkolla private. Edhe pagesat që bëhen në shkollat shtetërore vlejnë por duhet pasur kujdes. Duhet të kemi kujdes të ruajmë kontratën, mandatin e pagesës dhe një certifikatë familjare”, tha Stefani.
Kjo skemë e re synon të mbështesë familjet shqiptare duke ulur barrën tatimore dhe duke njohur shpenzimet e nevojshme për edukimin e fëmijëve. Referuar të dhënave nga Tatimet, vlera totale e parashikuar për rimbursim nga kjo skemë arrin në rreth 20 milionë euro.