Dy inspektorë të Inspektoriatit Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), janë arrestuar ditën e djeshme me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe me vendim të GJKKO-së, të akuzuar për veprat penale për “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për inspektorët O. J., dhe L. S., të cilët dyshohet se kanë marrë shumat monetare 900.000 lekë dhe 10.000 dollarë një biznesmeni në Korçë me inicialet J. S.
Dy inspektorët e ISHTI-t i gjatë një inspektimi në këtë subjekt privat konstatuan se ky biznes nuk dispononte dokumentacionin e nevojshëm tekniko-ligjor dhe licencën përkatëse. Për të mos lëshuar masën administrative, dy inspektorët morën nga pronari i biznesit para.
Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të hetimeve të një çështjeje penale të regjistruar për “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”*, kryer në bashkëpunim, ka kërkuar dhe marrë miratimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj dy shtetasve. Në datën 23.09.2025, me vendimin nr. 95, Gjykata e Posaçme miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për caktimin e masës së sigurimit personal:
“Arrest në burg”, ndaj shtetasit O.J., me detyrë inspektor pranë Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI), bazuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale;
“Arrest në shtëpi”, ndaj shtetasit L.S., ish-inspektor pranë Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI), bazuar në nenin 237 të Kodit të Procedurës Penale.
Masat e sigurimit janë ekzekutuar më 27.9.2025, me ndihmën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Procedimi penal
Në datën 5.3.2025, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr.44 të vitit 2025, mbi bazën e akteve të procedimit penal nr. 385/1 të vitit 2023 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parëtë Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 244, paragrafi 2 dhe 259, paragrafi 2 e 25 te Kodit Penal, i cili u dërgua për kompetencë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Hetimet dhe gjetjet
Nga hetimet proaktive dhe metodat speciale të hetimit, të kryera nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) ka rezultuar se në datën 1.11.2021, të hetuarit O.L. dhe L.S., kanë marrë shumat monetare 900.000 (nëntëqind mijë) lekë dhe 10.000 (dhjetë mijë) dollarë.
Hetimet kanë provuar se kjo shumë është marrë nga dy inspektorët e ISHTI-t, të caktuar për inspektim tek subjekti privat J.S. me vendndodhje në Korçë, me qëllim për të mos e ndëshkuar me masë administrative, subjektin privat J.S., i cili ushtronte aktivitet tregtar pa dokumentacionin e nevojshëm tekniko-ligjor dhe licensën përkatëse.