Një ditë pas fitores dramatike të PSG ndaj Barcelonës në minutën e 90-të, presidenti i La Ligës, Javier Tebas, ka hedhur akuza të forta ndaj klubeve si Paris Saint-Germain dhe Manchester City, duke i akuzuar për shkelje të rënda financiare dhe mungesë kontrolli ekonomik.
“Futbolli është global dhe në Europë përballemi me klube që funksionojnë me rregulla krejtësisht ndryshe.
Ose nuk kanë kontroll financiar, ose ai është shumë më i dobët se në Spanjë. Në Angli tashmë janë të shqetësuar për nivelin e borxheve, sepse është një kampionat që gjeneron humbje.
Manchester City humbet para prej 10 vitesh dhe mashtron që nga koha e pronarëve të rinj. PSG gjithashtu ka pasur humbje prej 200 milionë eurosh për shtatë vite radhazi”, deklaroi Tebas.
Shefi i La Ligës theksoi se rregullat ekonomike në Spanjë kanë sjellë një proces të ngadaltë, por të qëndrueshëm të shëndoshjes së financave të klubeve.
“Në Spanjë kemi më shumë se 200 nene rregullatore.
Është e thjeshtë: sa të ardhura ke, sa shpenzime dhe çfarë borxhesh duhet të shlyesh. Sot asnjë klub nuk është shuar, ndërsa vite më parë klubet detyroheshin 700 milionë euro ndaj shtetit. Ishte turp.”
Tebas rikujtoi se me shitjen e centralizuar të të drejtave televizive, La Liga fitoi 500 milionë euro shtesë në një vit, duke mundësuar ristrukturimin e borxheve dhe forcimin e Fair Play Financiar.
“Po të mos ishte Fair Play, ato para do të përfundonin në Ferrari, Porsche apo jahte të lojtarëve, jo në shlyerjen e borxheve publike”, përfundoi presidenti i La Ligës.