Ballina Politika Berisha: PD nuk do të bojkotojë zgjedhjet në Tiranë, vendos sot modelin...

Berisha: PD nuk do të bojkotojë zgjedhjet në Tiranë, vendos sot modelin e garës

15
0

Partia Demokratike mblodhi sot Kryesinë për të vendosur mbi modelin që opozita do të ndjekë në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës. Në fjalën e tij, kreu i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se dekreti i Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve është antikushtetues, por opozita nuk do të bojkotojë garën.

“Dhunimet flagrante të Kushtetutës nga individë të lidhur me krime dhe përvetësime të pronave publike, si Edi Rama dhe kukulla e tij në Presidencë, e bëjnë terrenin antikushtetues dhe pjesëmarrjen tonë të debatueshme. Por një opozitë duhet të shfrytëzojë çdo hapësirë në luftën kundër regjimit autoritar,” u shpreh Berisha.

Ai theksoi se bojkoti është një rrugë e provuar si destruktive për opozitat dhe se PD nuk duhet të lëshojë pozicionet e saj. Berisha shtoi se opozita ka detyrë t’u shpjegojë qytetarëve dallimet mes një diktature autokratike dhe asaj totalitare.

Në lidhje me kandidaturën për Tiranën, Berisha zbuloi misionin e delegacionit të ngritur nga PD. “Për Tiranën, unë ngrita një delegacion të eksploronte, jo kandidaturat por modelin ku ne mund të binim dakord dhe të ishim të gjithë të bashkuar si opozitë. Disa e kanë shprehur haptazi, disa të tjerë jo, që ata do preferonin një përfaqësues, kandidat të pavarur dhe të mbështetur nga opozita,” tha ai.

Në lidhje me bojkotin e parlamentit, ai bëri thirrje për reflektim, duke theksuar se “bojkotimi në pamje të parë duket sikur ndëshkon qeverinë, por në fakt i bën qejfin Edi Ramës”.

Në përfundim, kryedemokrati nënvizoi se PD do të marrë pjesë në garën për Bashkinë e Tiranës dhe se sot pritet të vendoset modeli me të cilin do të futet në zgjedhje.