Agjencia globale e vlerësimit Standard & Poors (S&P) vlerësoi respektivisht me notën ‘BB-/B’ borxhin afatgjatë dhe atë afashkurtër të Bankës Kombëtare Tregtare duke i vendosur të dy komponentët me një perspektivë të qëndrueshme.
Në të njëjtën kohë, S&P i dha bankës një vlerësim ‘BB’, për të ashtuquajturën RCR, një tregues që mat aftësinë e bankës për të përballuar humbjet me fondet e veta në rast të një ngjarje falimentuese, pa patur nevojë për përdorimin e parave të taksapaguesve.
“Perspektiva e qëndrueshme pasqyron pritjet tona se gjatë 12 muajve të ardhshëm, BKT do të ruajë performancën e saj të mirë financiare duke ruajtur cilësinë e shëndoshë të aseteve dhe duke e mbajtur kapitalizimin e saj afër niveleve aktuale”, tha Standard & Poor’s.
S&P mund të ulë vlerësimet e saj për BKT nëse performanca financiare ose pozicioni i tregut të bankës dobësohet ndjeshëm, nëse cilësia e aseteve përkeqësohet ndjeshëm nën mesataren vendase në dy tregjet e saj kryesore, ose nëse pozicioni i saj i depozitave dhe likuiditetit dobësohen nga nivelet aktuale të forta. Anasjelltas, ajo mund të rrisë vlerësimet nëse mjedisi ekonomik në tregjet kryesore të BKT-së bëhet më mbështetës, duke kontribuar në rritjen e shëndetshme të biznesit, shtoi ajo.
Banka Kombëtare është banka më e madhe e Shqipërisë me asete totale prej 6.9 miliardë dollarësh (5.9 miliardë euro) që nga dhjetori 2024. Ajo është tërësisht në pronësi të konglomeratit me seli në Turqi, Calik Holding, dhe operon në Kosovë përmes një dege lokale.
Vlerësimi BB- që S&P i ka dhënë borxhit afatgjatë të Bankës Kombëtare Tregtare është një shkallë më ulët se sa nota që ajo i ka dhënë borxhit afatgjatë të qeverisë shqiptare. Një muaj më parë, Standard & Poor’s konfirmoi notën BB për borxhin sovran të Shqipërisë me prespektivë të qëndrueshme.