Ballina Europë Të shtëna në Suedi, vritet një i ri shqiptar– plagoset rëndë një...

Të shtëna në Suedi, vritet një i ri shqiptar– plagoset rëndë një grua

76
0

Një burrë shqiptar rreth të 20-ave u vra dhe një grua u plagos rëndë pas një incidenti me armë zjarri gjatë natës në qytetin Helsingborg të Suedisë.

Policia tha se alarmi erdhi pak para mesnatës, kur patrullat dëgjuan disa të shtëna në zonën Adolfsberg, në jug të qytetit. Në vendngjarje u gjetën dy persona të qëlluar në ambient të hapur.

Të dy, një burrë dhe një grua rreth të 20-ave, u transportuan me urgjencë në spital. Burri që sipas informacioneve është nga Shqiperia ndërroi jetë nga plagët e marra, ndërsa gruaja u operua dhe gjendja e saj përshkruhet si e rëndë, por e qëndrueshme.

Sipas policisë, të dy personat ishin të njohur më parë për autoritetet. Mediat suedeze raportojnë se burri i vrarë dyshohet se kishte lidhje me një rrjet kriminal në zonën e Helsingborgut dhe kishte qenë në paraburgim vjeshtën e kaluar i dyshuar për rrëmbim, përpara se të lirohej në nëntor.

Policia ka zhvilluar një operacion të gjerë gjatë natës, duke kryer kontroll teknik në vendngjarje, trokitje nëpër banesa dhe duke analizuar kamerat e sigurisë. Deri tani nuk është arrestuar asnjë person.

Dëshmitarë kanë raportuar se një furgon gri është parë duke u larguar nga zona në momentin e të shtënave.

Autoritetet thonë se po punojnë për të identifikuar autorët dhe për të zbuluar motivin e sulmit, me qëllim që të shmanget një përshkallëzim i mundshëm i dhunës.