Ballina Politika Kandidatët që do të përballen në zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki

Kandidatët që do të përballen në zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki

9
0

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë zyrtarizuar emrat e kandidatëve që do të përballen në zgjedhjet e pjesshme lokale, të cilat pritet të mbahen më 9 nëntor në pesë bashki të vendit, ndërsa Tirana është ende në pikëpyetje për datën e zgjedhjeve. Të dyja forcat politike kanë kaluar përmes proceseve të brendshme konsultimi dhe vlerësimi për të përzgjedhur emrat që do të garojnë në këto bashki.

Në Bashkinë e Tiranës, opozita ka vendosur të mbështes aktorin dhe aktivistin Florjan Binaj, i cili do të përballet me ish-ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila është përzgjedhur nga PS. Edhe pse Kushtetuesja rrëzoi datën 9 nëntor për zhvillimin e zgjedhjeve në Tiranë, kandidatët nuk kanë ndalur fushatën elektorale.

Në Bashkinë e Tepelenës, gara do të zhvillohet mes Gabriel Gumës nga Partia Demokratike dhe Gramoz Sakos nga Partia Socialiste, ky i fundit një emër i njohur si ish-shef i Gardës së Republikës.

Në Vlorë, Dionis Sota do të përfaqësojë Partinë Demokratike, ndërsa përballë tij do të jetë Brunilda Mersini, e cila do të mbajë flamurin e Partisë Socialiste në këtë qytet bregdetar.

Në Bashkinë e Matit, kandidati i Partisë Demokratike është Eduart Brahlika, i cili do të ketë përballë Altin Bajnin, përfaqësuesin e përzgjedhur nga PS.

Në Cërrik, demokratët kanë zgjedhur Amarildo Hoxhën si kandidatin e tyre, ndërsa socialistët do të garojnë me Florenc Dokën.

Ndërsa në Bashkinë e Beratit, përballja do të jetë mes Pavlo Shkarpës nga Partia Demokratike dhe Ervin Cecës nga Partia Socialiste.

Gjashtë bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme janë kthyer në epiqendra të vëmendjes politike, me aktorët kryesorë që synojnë të rrisin peshën e tyre në pushtetin vendor edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale.