Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, teksa ka raportuar komisionin e Ligjeve dhe atij të Nismave Qytetare, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera të zbatimit të ligjit.
Dumani vlerësoi se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit ishte e mirë, por theksoi se ka shumë për të bërë, pasi numri i referimeve dhe kallëzimeve nga të gjitha agjencitë me të cilat SPAK bashkëpunon është i ulët.
“Nuk kemi qenë asnjëherë të nguruar, por të hapur për të bashkëpunuar, por është fakt që numri i referimeve vazhdon të ngelet i vogël në vlerësimin e SPAK”, tha ai.
Në lidhje me denoncimet anonime, kreu i SPAK njoftoi se çdo ditë pranohen denoncime përmes faqes online, nga persona që ruajnë anonimitetin e tyre, pasi nuk u kërkohet dokument identifikimi.
“Nuk i kërkojmë domosdoshmërish denoncuesit dokument identifikimi dhe ai ngelet anonim. Mund të jap ndonjë emër që mund të mos ketë të bëjë me emrin që fshihet pas denoncimit,” shpjegoi Dumani.
“Do ta vlerësoja mirë. Unë e përmenda pak numrin e referimeve, kallëzimeve nga të gjitha agjencitë me të cilat bashkëpunojmë. Ka shumë për të bërë më mirë, sa i takon bashkëpunimit me Policinë e Shtetit apo institucioneve të tjera të zbatimit të ligjit. Nuk kemi qenë asnjëherë të nguruar, por të hapur për të bashkëpunuar, por është fakt që numri i referimeve vazhdon të ngelet i vogël në vlerësimin e SPAK.
Sa i takon denoncimeve anonime, në faqen e SPAK marrim denoncime çdo ditë, nga persona të cilët ruajnë anonimatin. Nuk i kërkojmë domosdoshmërish denoncuesit dokument identifikimi dhe ai ngelet anonim. Mund të jap ndonjë emër që mund të mos ketë të bëjë me emrin që fshihet pas denoncimit. Ekziston kjo mundësi që të bësh denoncime anonime përmes faqes online, krahas asaj që vijnë më shkresa”, tha Dumani.