Ballina Opinion Pafytyrësia epokale

Pafytyrësia epokale

0
27

Nga Lis Bukuroca 

1.

Edi Rama i propozon Kuvendit të Kosovës një rezolutë kundër Gjykatës Speciale, por refuzoi rezolutën për gjykimin e gjenocidit serb në Kosovë. Nga njëra anë, Rama përpiqet të shfaqet si mbrojtës i UÇK-së (në fakt vetëm i Thaçit) duke e kritikuar Gjykatën e Posaçme; nga ana tjetër, refuzon të pranojë se UÇK-ja ka luftuar kundër gjenocidit – çështja më themelore për identitetin historik dhe moral të Kosovës.

Sjellja e Ramës nuk cenon vetëm dinjitetin e viktimave, por edhe dobëson narrativën e drejtë të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Një qëndrim as moralisht, as politikisht i drejtë. Gjenocidin e kundërshton Vuçiqi, e kundërshton  Rama. Ndërkohë, mediat nacionaliste serbe festojnë.

Ps.

Protestoni kundër vendimit të Ramës. Kundër Gjykatës protestoni para selisë së PDK-së dhe para Kuvendit të Kosovës.

Nuk do të ndryshoni asgjë, por protestoni. Protestoni herën tjetër në Kavajë, në plazh. Megjithatë fytyrat e paftyra, që e kërkuan dhe votuan Gjykatën, nuk i lan protesta! Jo vetëm pse e kanë votuar, por pse nuk i kanë caktuar asnjë institucion mbikëqyrës! Asnjë mekanizëm kontrollues.

2.

Gjykata Speciale nuk mund të zhbëhet pa u ndryshuar Kushtetuta. Ajo është e ankoruar në Kushtetutë me Nenin 162 (Amendamenti Kushtetues nr. 24).

Atëherë pse bëhet protesta?

Për ta ndryshuar atë, nevojiten dy të tretat e deputetëve – 80 nga 120, ose 66 deputetë shqiptarë dhe 14 nga komunitetet joshqiptare. Gjykata është detyrim ndërkombëtar i Kosovës, i mbështetur nga BE dhe SHBA. Për ta zhbërë nevojitet përkrahja e tyre.

Atëherë pse bëhet protesta?

Për protagonizëm, për të përfituar disa veta përmes patriotizmit folklorik. Ata të gjithë e dinë se në rrugë nuk ndryshohet asgjë.

Sipas Kushtetutës është Gjykatë e Kosovës!

Pse protesta në Tiranë kundër Gjykatës së Kosovës?

Pyetje që duhen shtruar janë edhe këto:

Pse Memli Krasniqi nuk ka propozuar kurrë një rezolutë në Kuvend për të shprehur mospajtimin me mënyrën si po funksionon Gjykata Speciale? Po AAK dhe LDK? E Isa Mustafa, kryetari i nderit që dëshironte të dilte në protestë — kundër vendimit të vet?

Ku ka bërë lobime politike e diplomatike në botë Memli Krasniqi, për të sensibilizuar faktorët ndërkombëtarë?

Kur kanë kërkuar Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku apo Ramush Haradinaj një komision hetimor për të shqyrtuar aspektet e funksionimit të Gjykatës: si ndikimet politike, trajtimi i ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe transparenca?

Kurrë.

Pse?

Sepse Memli Krasniqi nuk e do kthimin e tyre. Pse të bëhet i treti, kur mund të mbetet i pari?

‘Kontribuesi’ Rama paska zgjedhur sulmin – nuk e qortoi Kurti, por VV

Ajo e ëndërronte flamurin dhe himnin shqiptar. Ideali nuk është krim, por me protesta nuk zhbëhet Gjykata të cilën e krijuan Thaçi, Mustafa, Rama dhe 82 deputetë. Gjykata nuk merret me protesta, por shqyrton prova – dhe për këtë paguhet shumë mirë.

Protesta nuk ia lan fytyrën askujt!

Është iluzion.

Vetëmashtrim!

Pendim!

Para themelimit të Gjykatës, duhej t’i kufizohej përgjegjësia dhe të vendosej mbi të kontroll nga Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial i Kosovës. Populli mendonte se ju dini kur duhet, jo kur nuk duhet!

Apo menduan se ishte gjykatë shqiptare – dhe pas pak, ajo përfundon!

Disa politikanë shqiptarë e konsiderojnë burrëri të luftojnë vendimet e tyre dhe të dalin në protesta kundër vetvetes! Si vullnetar qe lajmëruar edhe Isa Mustafa…

3.

Hej, protestues!

Kuvendi është në Prishtinë, PDK-ja në Prishtinë, Gjykata në Hagë — prandaj mos kërkoni drejtësi në Tiranë. Edhe nëse protestoni në Tetovë apo Paris, nuk do të ketë asnjë efekt institucional.

Kënaquni me Tiranën dhe mirë u kthefshi!

4.

Se kemi agjentë të Serbisë, dihej. Kjo nuk është as sekret, as zbulim. Por që jemi mësuar me ta dhe madje nuk mundemi pa ta, kjo s’ka ndodhur kurrë më parë.

Dikur udbashi kishte një damkë në lule t’ballit, një njollë të zezë që s’i hiqej kurrë.  Ishte turp. Zhburrnim. Izolim.

Sot, për fat të keq, është kthyer në profesion dinjitoz (“freelancer” në shërbim të huaj). Madje në nder.

Kjo është përmbysje e vlerave tona: kur shërbimi ndaj armikut, shpërblehet më shumë se dashuria ndaj vetvetes.

5.

Çfarë epoke pafytyrësie: voto dhe protesto kundër vetvetes! Çfarë rrospillëku! E shndërruan politikën në puf…

Themelo Gjykatën në Kuvend për drejtësi, në Prishtinë, pastaj protesto kundër drejtësisë dhe kundër themelimit tënd në RRUGË! Në Tiranë.