Ballina Lifestyle Vdes Ace Frehley, kitaristi legjendar i ‘Kiss’

Vdes Ace Frehley, kitaristi legjendar i ‘Kiss’

20
0

Ace Frehley, kitaristi dhe vokalisti i njohur i grupit të famshëm të muzikës heavy metal  ‘Kiss, ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeç’, njoftoi familja e tij, sipas AP.

I njohur për fansat si ‘Space Ace’ apo ‘Spaceman’, Frehley u nda nga jeta ‘në paqe’, i rrethuar nga familjarët e tij në Morristown, Nju Xhersi, pas një rrëzimi  në studion e tij muajin e kaluar.

Shkaku i saktë i vdekjes nuk është bërë ende publik. Në një deklaratë në rrjetet sociale, familja shprehu pikëllimin e thellë për humbjen e tij, duke e përshkruar si një njeri të dashur dhe të sjellshëm.

‘Jemi thellësisht të pikëlluar dhe të thyer në zemër. Në momentet e fundit, patëm fatin ta rrethonim me dashuri, lutje dhe fjalë paqeje,’ shkroi familja. ‘Kujtimi i Ace do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona’, shkroi familja.

Në shtator, Frehley u rrëzua në studion e tij dhe u dërguar në spital. Mjekët i kishin këshilluar të mos udhëtonte, gjë që e detyroi të anulonte disa koncerte. Javën e kaluar ai njoftoi anulimin e të gjitha datave të turneut të vitit 2025 për shkak të problemeve shëndetësore që po e shoqëronin.

I lindur në Bronx, Nju Jork, në një familje muzikantësh, Frehley ishte mësimdhënës në kitarë dhe më vonë u bë një nga kitaristët më të mëdhenj të muzikës metal. Ai u bashkua me Paul Stanley, Gene Simmons  dhe Peter Criss për të formuar grupin ‘Kiss’ në vitin 1973.

Me grimin e tyre të veçantë bardh e zi, kostumet spektakolare dhe performancat me efekte piroteknike, ‘Kiss’ u shndërrua në një fenomen kulturor global me hite si ‘I was made for lovin’ you’, *’Rock and Roll all nite’ dhe ‘Black Diamond’.

Pas vdekjes së tij, bashkëthemeluesit e ‘Kiss’,  Gene Simmons dhe Paul Stanley, u shprehën ‘të shkatërruar’ nga humbja. ‘Ai ishte një pjesë e pazëvendësueshme e historisë së Kiss dhe gjithmonë do të mbetet pjesë e trashëgimisë sonë,’ thanë ata në një deklaratë të përbashkët. Peter Criss, bateristi origjinal i grupit, shkroi në X; ‘Jam i tronditur!!! Miku im… të dua’!

Në nder të tij,do të vendosen lule në yllin e Ace Frehley në ‘Hollywood Walk of Fame’, që ai e mori në vitin 1999 bashkë me anëtarët e tjerë të grupit.

Kujtimi i ‘Spaceman’ do të vazhdojë të ndriçojë botën e rokut dhe të frymëzojë gjenerata të reja kitaristësh që rritën me tingujt e tij të paharrueshëm.