Ballina Aktualitet Shoferët me shkelje do rikthehen në ‘shkollë’, nis projekti i Akademisë Kombëtare...

Shoferët me shkelje do rikthehen në ‘shkollë’, nis projekti i Akademisë Kombëtare të Drejtimit, ja çfarë synon Qeveria

20
0

Një Akademi tjetër pritet të ngrihet në Shqipëri, me synimin të edukojë shoferët në nivel kombëtar.

Themelimi i një Akademie Kombëtare të Drejtimit, e pajisur me poligone të specializuara trajnimi dhe programe edukative, përfshirë kurse të përshtatura për drejtuesit me shkelje, pritet të jetë realitet brenda 3 vjetësh, si një investim i Drejtorisë së Transportit Rrugor.

Projekti është përfshirë në Strategjinë Kombëtare për Sigurinë Rrugore, për 3 vitet në vijim, hedhur për konsultim publik nga Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë.

Ky është një prej komponentëve të strategjisë për të rritur sigurinë në rrugë.

Akademia e Drejtimit, sipas planit të veprimit, do të ketë poligone, pra qendra të specializuara për trajnimin e shoferëve dhe për programe edukative që nuk përfshijnë vetëm shoferët, por edhe nxënësit, studentët si dhe përdoruesit e rrugës në tërësi.

Drejtoria e Rrugëve parashikon që këtë Akademia ta realizojë në bashkëpunim me autoshkollat.

Në planin e veprimit përfshihet edhe përmirësimi i sistemit të edukimit përmes rishikimit të librave për fëmijët si edhe materialet për mësuesit.

Ky aspekt, do të marrë dy vitet e ardhshme 8 milionë lekë.

Ministria e Arsimit do të përfshihet për rishikimin e teksteve shkollore, kurse Ministria e Shëndetësisë do të investojë 3 milionë lekë për të ofruar materiale të ndihmës së shpejtë në arsimin e mesëm gjatë vitit 2027.

Plani i veprimit lë detyra ndërgjegjësuese edhe për universitetet, bashkitë dhe sektorin privat, kryesisht kompanitë e sigurimeve.