Biznesmeni shqiptar nga Kosova, Behgjet Pacolli, ka reaguar në lidhje me një takim të zhvilluar me gazetarin Çim Peka, ditën e djeshme në shtëpinë e tij.
Në postimin e tij në Facebook, Pacolli thekson se temë e diskutimeve me gazetarin Peka, ka qënë edhe ‘për aeroportin, përfshirë dhe për kontratën e kredisë për financimin ndër të tjera të punimeve të papërfunduara në aeroportin e Vlorës’.
‘Me z. Peka folëm dhe për shumë gjëra të tjera, por ndonëse fushata e ndërmarrë nga disa dashakeq bukëshkalë qe do të përballen me drejtësinë patjetër mund të klasifikohet si histori filmash serial, asnjëherë nuk folëm apo komentuam për Kryeministrin, institucionin e tij apo politikat qeveritare’, sqaron në fund të reagimit Pacolli.
Postimi i plotë:
Sot pashë një postim nga Çim Peka. Çimi është një mik i imi i vjetër. Me të kam pasur komunikim dhe respekt të ndërsjellë — jemi takuar disa herë dhe më ka vizituar, ashtu si çdo mysafir tjetër. Edhe dje më trokiti në derë si mysafir, por kurrsesi në rolin e gazetarit apo drejtuesit të ndonjë media; ishte thjesht një vizitë miqësore, ashtu si e do tradita.
Natyrisht, biseda mes miqve është e pashmangshme dhe folëm për shumë tema, përfshirë edhe fushatën denigruese, të mirë të orkestruar kundër meje, dhe për zanafillën e saj. Diskutuam edhe për aeroportin, përfshirë dhe per kontratën e kredisë për financimin ndër të tjera të punimeve të papërfunduara në aeroportin e Vlorës, financim i cili është realizuar 100% me kolateralet e mia personale dhe me asetet e kompanisë sime; financim që, fatkeqësisht disa media, shpresoj nga padija, apo qellimshem i kanë dhënë interpretime absurde.
Me z. Peka folëm dhe për shumë gjëra të tjera, por ndonëse fushata e ndërmarrë nga disa dashakeq bukëshkalë qe do të përballen me drejtësinë patjetër mund të klasifikohet si histori filmash serial, asnjëherë nuk folëm apo komentuam për Kryeministrin, institucionin e tij apo politikat qeveritare.