Ballina Aktualitet Apeli i Posaçëm rrëzon ankimimin e Erion Veliajt, lë në fuqi vendimin...

Apeli i Posaçëm rrëzon ankimimin e Erion Veliajt, lë në fuqi vendimin e GJKKO

37
0

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë sot në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë që lë në burg ish kryetarin e bashkisë Tiranë, duke rrëzuar ankimimin e paraqitur nga Erion Veliaj.

Objekti i ankesës kishte të bënte me konstatimin e shkeljeve procedurale të Prokurorisë së Posaçme gjatë fazës së hetimeve paraprake të procedimit penal nr. 27, të vitit 2024, dhe shpalljen e pavlefshmërisë së veprimeve hetimore.

Njoftimi:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 20.10.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 240 akti, datë 14.10.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim E.V., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 43 akti, datë 01.09.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Konstatimi i shkeljeve procedurale të Prokurorisë së Posaçme gjatë fazës së hetimeve paraprake të procedimit penal nr. 27, të vitit 2024 dhe pavlefshmërinë e veprimeve hetimore” dhe vendosi:

– Lënien në fuqi të Vendimit nr. 43 akti, datë 01.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.

U shpall në Tiranë, me datë 20.10.2025.

Kujtojme qe Gjykata e Lartë rrëzoi më 2 tetor rekursin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” me një masë më të butë.

Sipas njoftimit të publikuar në Gjykatën e Lartë, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarja Albana Boksi në cilësinë e relatores dhe dy gjyqtarët Medi Bici e Sokol Binaj, vendosi mospranimin e rekursit te paraqitur nga personi nën hetim Erion Veliaj, kundër vendimit nr. 130 të 9 qershorit të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimit e Organizuar, që ka lënë në fuqi arrestin e caktuar në Shkallën e Parë.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.