Studioja ndërkombëtare Oppenheim Architecture po zhvillon një projekt të ri në kryeqytet, të quajtur Kulla e Selitës, e cila do të ngrihet në skajin perëndimor të Tiranës.
Pas projekteve të njohura si Tirana Tower, kompleksi në Komunën e Parisit, Vlora Landmark dhe stadiumi i ri i Vlorës, ky është zhvillimi më i fundit që pritet të zgjerojë portofolin e studios në Shqipëri.
Ekofin.al mëson se ndërtesa, një objekt shërbimi, banimi dhe hoteleri 6 dhe 25 kate mbi tokë, do të ndërtohet nga shoqëria “ASR Invest” sh.p.k., e cila ka marrë lejen e ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit më 25 qershor të këtij viti.
Sipas përshkrimit zyrtar, Kulla e Selitës është menduar si një kompleks i hapur për komunitetin, me një shesh publik në nivelin e tokës, hapësira të gjelbëruara dhe ambiente për kafe e takime. Projekti përbëhet nga dy ndërtesa midis të cilave formohet një hapësirë qendrore e dedikuar për përdorim qytetar.
Arkitektura karakterizohet nga forma të lakuara dhe hapje të mëdha, të frymëzuara nga skulptura dhe arti bashkëkohor. Ndërtesa synon të ndërthurë funksionin rezidencial dhe atë komunal, duke krijuar një qendër të re urbane në zonën e Selitës, thuhet në përshkrimin e saj.
Kulla e Selitës është pjesë e një serie projektesh që po transformojnë profilin arkitektonik të Tiranës dhe qyteteve të tjera shqiptare, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm të Oppenheim Architecture me zhvillues vendas dhe institucione publike.