Serbia është në gjendje shumë të vështirë dhe pothuajse të pashpresë, tha të hënën ministrja e Minierave dhe Energjisë e Serbisë, Dubravka Gjedoviq-Handanoviq, në lidhje me vendimin e Këshillit të BE-së për ta ndaluar transitin e gazit natyror nga Rusia përmes bllokut evropian drejt vendeve të treta.
Brukseli njoftoi se ky vendim do të hyjë në fuqi më 1 janar 2026.
“Në fund të fundit, Bullgaria nuk do ta lejojë rrjedhën e gazit rus përmes Rrjedhës Ballkanike, gjë që do ta dëmtojë edhe Serbinë në të ardhmen”, tha Gjedoviq-Handanoviq, raporton Radio Televizioni i Serbisë (RTS).
Sipas projekt-rregullores së Këshillit të Bashkimit Evropian, vendimi për të ndaluar transitin e gazit rus në vendet e treta qysh nga janari, do të konfirmohet sapo Parlamenti Evropian ta marrë qëndrimin e tij.
Teksti përfundimtar do të bëhet i ditur pas bisedimeve midis Presidencës së Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian.
Këshilli i BE-së theksoi se është parashikuar një periudhë kalimtare për kontratat ekzistuese me palën ruse.
Sipas rregullave, blerësit e BE-së nuk do të jenë në gjendje të nënshkruajnë kontrata të reja për importin e gazit rus pas 1 janarit, ndërsa ato ekzistuese do të duhet të përfundojnë jo më vonë se fundi i vitit 2027.
Parashikohet se kontratat afatshkurtra, të lidhura para 17 qershorit 2025, mund të vazhdojnë deri në atë datë vitin e ardhshëm, ndërsa kontratat afatgjata mund të zgjasin deri më 1 janar 2028.
Brukseli tha në një komunikatë se ndryshimet në kontratat ekzistuese do të lejohen vetëm për qëllime operacionale të përcaktuara ngushtë dhe nuk mund të çojnë në një rritje të vëllimit të dërgesave, përveç nëse ato përfshijnë fleksibilitete specifike për shtetet anëtare të BE-së pa dalje në det të prekura nga ndryshimet në rrugët e furnizimit.
Në kontekstin e këtij vendimi, Gjedoviq-Handanoviq kujtoi se Industria e Naftës e Serbisë (NIS), e cila është në pronësi ruse dhe furnizuesi kryesor i karburantit në tregun vendas, është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Vendi ynë, i cili nuk është pjesëmarrës në asnjë konflikt, nuk u prek as për faj dhe as për detyrim. Pavarësisht të gjithave, ne do të bëjmë çmos që qytetarët të mos i ndiejnë problemet me të cilat po përballemi“, tha Gjedoviq-Handanoviq.
Sanksionet e SHBA-së ndaj NIS-it hynë në fuqi më 9 tetor.
Kryetarja e Parlamentit të Serbisë, Ana Bërnabiq, duke folur për propozimin e ministrave të BE-së për t’i eliminuar gradualisht importet e naftës dhe gazit rus, tha se nuk sheh rrugëdalje nga situata dhe shprehu shpresën se presidenti i vendit, Aleksandar Vuçiq, ka zgjidhje për këtë.
“Ky është lajm katastrofik për ne”, citohet të ketë thënë Bërnabiq nga RTS.
Për dekada të tëra, Serbia ka qenë e varur nga importet e gazit nga Rusia, nga ku plotëson më shumë se 80 për qind të nevojave të saj për energji.
Sipas të dhënave nga Zyra e Statistikave të Republikës, kjo është 13 për qind më pak se në vitin 2024.
Që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës, Serbia është përpjekur të krijojë rrugë të reja furnizimi.
Në vitin 2024 Serbia filloi të importojë gaz nga Azerbajxhani, me të cilin arriti marrëveshje për furnizim vjetor deri në 400 milionë metra kub deri në vitin 2026.
Nevojat vjetore të Serbisë janë tre miliardë metra kub gaz natyror.
Kontrata dhjetëvjeçare e furnizimit me gaz e Serbisë me Rusinë skadoi në maj, dhe këto dy vende nuk kanë nënshkruar kontratë të re ende.
Ministrat e energjisë të Bashkimit Evropian kanë miratuar një vendim për të ndaluar importet e gazit rus pas vitit 2027 në një takim në Luksemburg.
Propozimi i paraqitur nga Komisioni Evropian mori shumicën e nevojshme në Këshill. Hungaria dhe Sllovakia, dy vende të BE-së pa dalje në det, ishin kundër. / REL