Ballina Bota Izraeli paralajmëron Kanadanë: Mos arrestoni Netanyahun në vizitën e tij

Izraeli paralajmëron Kanadanë: Mos arrestoni Netanyahun në vizitën e tij

83
0

Izraeli i ka bërë thirrje kryeministrit të ri të Kanadasë, Mark Carney, që të heqë dorë nga zotimi i tij për të zbatuar urdhrin e arrestit të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN) kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, nëse ky i fundit udhëton në Kanada.
Carney, në një intervistë të publikuar javën e kaluar nga Bloomberg, u pyet nëse do të respektonte zotimin e paraardhësit të tij, Justin Trudeau, për të arrestuar Netanyahu-n, i cili akuzohet për krime lufte. Ai u përgjigj shkurt: “Po”.

“Besojmë se kryeministri Carney duhet ta rimendojë këtë qëndrim dhe ta mirëpresë kryeministrin Benjamin Netanyahu, liderin e vetmit shtet hebre dhe të vetmes demokraci në Lindjen e Mesme, në Kanada”, tha zëdhënësja e qeverisë izraelite, Shos Bedrosian.

Gjykata Penale Ndërkombëtare me seli në Hagë ka lëshuar urdhra arresti për Netanyahu-n për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat dyshohet se janë kryer gjatë luftës në Gaza. Izraeli e kundërshton juridiksionin e gjykatës dhe mohon se ka kryer krime lufte.

Bedrosian komentoi gjithashtu edhe vendimin e Kanadasë për të njohur një shtet palestinez, duke e cilësuar atë si “shpërblim për terrorizmin” dhe duke shtuar se “i hodhi benzinë zjarrit të antisemitizmit në Kanada”.