Ballina Politika Bllokimi i monopatinave/ Ja pse urdhëri i ministres Koçiu shkel Kodin Rrugor...

Bllokimi i monopatinave/ Ja pse urdhëri i ministres Koçiu shkel Kodin Rrugor dhe s’duhet të zbatohet

90
0

Prej ditësh, në rrugët e Tiranës po zhvillohet një situatë tragji-komike, në të cilën punonjësit e Policisë Rrugore janë detyruar që të heqin dorë nga detyra e tyre primare, rregullimi i trafikut të rënduar dhe janë angazhuar për të zhvilluar një lojë si macja me miun me përdoruesit e monopatinave.

Në çdo rrugë kryesore e rrugicë, efektivët e Rrugores kanë marrë urdhër të prerë që të zbatojnë me përpikmëri Udhëzimin e Ministres së Brendshme, Albana Koçiu, për ndalimin e qarkullimit të mjeteve që punojnë me bateri.

Image

Por, ndërkohë që përdoruesit e monopatinave po ndiqen e përndiqen si kontigjent kriminalë, vetë Udhëzimi i Ministres së Brendshme është i pazbatueshëm ligjërisht, të paktën deri më tani.

Në Udhëzimin nr. 169. Dt. 13 Tetor 2025, Ministrja e Brendshme e bazon vendimin e saj për bllokimin e monopatinave në nenet 5, 6 dhe 7 të Kodit Rrugor.

Në një lexim literal të atyre neneve, kuptohet qartësisht se Udhëzimi është i mangët dhe zbatimi i tij nuk mund të nisë, pa u shpallur më parë nga Bashkia, në rastin konkret, nga Bashkia e Tiranës.

Neni 5 i Kodit Rrugor i jep të drejtë Ministrisë së Brendshme që të nxjerrë udhëzime për pezullimin, bllokimin apo edhe ndalimin e mjeteve të caktuara, nën argumentin e sigurisë publike.

Ndërkohë, në nenin 6 të Kodit Rrugor thuhet: “Organi kompetent i pushtetit lokal, për arsye të sigurimit publik, sigurimit të qarkullimit, mbrojtjes së shëndetit, si dhe për nevoja të karakterit ushtarak, në bazë të udhëzimeve të Ministrisë që mbulon veprimtarinë përkatëse dhe të Ministrisë së Brendshme, mund të pezullojë përkohësisht qarkullimin e të gjitha ose të disa kategorive mjetesh në rrugë a pjesë të saj…”.

Image

Pra, sipas Kodit Rrugor, organi kompetent është Bashkia, e cila, në bazë të Udhëzimeve të Ministrisë së Brendshme, mund të pezullojë qarkullimin e mjeteve të caktuara.

Në rastin e monopatinave, ky përcaktim ligjor nuk është zbatuar aspak. Këtë e konfirmoi vetë kryetarja në detyrë e Bashkisë së Tiranës, Anduela Ristani, gjatë një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak.

E pyetur nga këshilltarët bashkiakë të opozitës, Ristani deklaroi në mbledhjen e datës 16 Tetor 2025: “…Nuk ka qenë një vendim i Bashkisë Tiranë. Nëse më pyesni mua personalisht, unë jam pro çdo mjeti transporti që nuk përdor karburant, por kjo është vetëm pikëpamja ime personale”, tha Ristani.

Deklarata është e mjaftueshme për të kuptuar se Bashkia e Tiranës nuk ka shpallur asnjë urdhëresë për bllokimin e monopatinave. Qëndrimi i administrates lokale të kryeqytetit përforcohet më shumë edhe nga fakti se në terren vërehet një mungesë angazhimi total i strukturave të Policisë Bashkiake në bllokimin e patinave elektronike,

Kjo do të thotë se përndjekja e drejtuesve të monopatinave nga Policia Rrugore është tërësisht e paligjshme./Boldnews.al