Ballina Ekonomia Zjarrfikësit do të marrin 1 ose 2 paga shpërblim, 154.6 milionë lekë...

Zjarrfikësit do të marrin 1 ose 2 paga shpërblim, 154.6 milionë lekë shtesë bashkive për mbrojtjen nga zjarri

139
0

Qeveria ka vendosur të rrisë me 154.6 milionë lekë transfertën e pakushtëzuar sektoriale për funksionin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, si mbështetje buxhetore për bashkitë e vendit që u angazhuan në mënyrë intensive gjatë sezonit të verës në përballimin e zjarreve. Shtesa buxhetore është parashikuar në ndryshimet e fundit të buxhetit të shtetit për vitin 2025, të botuara në Fletoren Zyrtare nr. 194.

Sipas relacionit shpjegues, 16 bashki, në të cilat u regjistruan zjarre me intensitet të lartë dhe kohëzgjatje të madhe, do të marrin fonde për dy paga shpërblim për punonjësit e Mbrojtjes nga Zjarri, ndërsa bashkitë e tjera do të përfitojnë fonde për një pagë shtesë.

Në këtë mbështetje buxhetore nuk përfshihet Bashkia Tiranë, me argumentin se ajo ka potenciale të mëdha fiskale për të gjeneruar të ardhura të mjaftueshme nga taksat dhe tarifat vendore. Vetëm në tre vitet e fundit, të ardhurat e Tiranës kanë përbërë rreth 58% të totalit të të ardhurave të 61 bashkive të vendit.