Ballina Kulturë Sqarim i AIDSSH në lidhje me debatin mbi rastin “Velo”

Sqarim i AIDSSH në lidhje me debatin mbi rastin “Velo”

82
0

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) është njohur me reagimet publike në lidhje me vendimin e Këshillit Bashkiak Lushnjë për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” z. Gjergj Velo, i cili në të kaluarën ka firmosur propozime për internime apo dëbime.

Autoriteti e vlerëson si të përligjur shqetësimin e shprehur nga publiku dhe aktorët e shoqërisë, dhe nënvizon rëndësinë e kujdesit institucional në trajtimin e figurave të lidhura me veprimtarinë represive të së kaluarës, kujdes që duhet të ushtrohet edhe nga autoritetet propozuese.

Në këtë kuadër, Autoriteti gjen me vend të sqarojë pozicionin e vet dhe të informojë median dhe opinionin publik mbi kuadrin ligjor dhe procedurat e ndjekura, në përputhje me dispozitat njohëse dhe kufizuese të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”.

Pas verifikimit të kryer referuar të dhënave të paraqitura nga institucioni kërkues, Autoriteti ka informuar me Vendimin nr. 648, datë 11.11.2024, se nga verifikimet e kryera deri tani, sipas përcaktimeve të nenit 30 të Ligjit nr. 45/2015, shtetasi “Nuk ka qenë anëtar ose kandidat të Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese posaçme politike, apo punonjës i nivelit të lartë i ish-Sigurimit të Shtetit;  b) Nuk ka qenë bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, denoncues në proceset politike ose dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme, pas mbushjes së moshës 18 vjeç; c) Nuk ka qenë person me të dhëna nga ish-Sigurimi i Shtetit për spiunazh dhe terrorizëm”.

Qëllimi i ligjit nr. 45/2015 është të bëjë të mundur ushtrimin e së drejtës nga çdo i interesuar për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet një procesi demokratik dhe transparent, mbrojtjes së personalitetit të individit, si dhe unitetit e pajtimit kombëtar dhe vënien në dispozicion të institucioneve shtetërore dhe joshtetërore të informacioneve të domosdoshme për qëllimet e parashikuara në këtë ligj.

Makineria e përndjekjes nuk ka qenë vetëm Sigurimi i Shtetit, por një sistem i gjerë strukturash të ndërvarura, ku përfshiheshin organet e Partisë së Punës së Shqipërisë, organizatat bazë të saj në çdo institucion, komitetet e partisë në rrethe, etj që ushtronin kontroll, ndëshkim dhe përjashtim në emër të ‘luftës së klasave’, ndaj vendimi i Autoritetit është në masën dhe brenda kufijve të kuadrit ligjor mbi bazën e të cilit ushtron veprimtarinë.

AIDSSH   në procedurën e verifikimit për kandidatin në fjalë bazohet në  dy ligje në respektim të Nenit 30, pika 2, të ligjit, si edhe neni 4 i ligjit nr. 94/2022 “Për Titujt e Nderit dhe Titujt Vendorë të Nderit në Republikën e Shqipërisë”, (që parashikon se kandidati nuk duhet të jetë bashkëpunëtor i ish- Sigurimit), për të qartësuar nëse ekzistojnë të dhëna në dokumentet që tashmë administron të cilat e lidhin kandidatin me ato cilësime që ka vendosur ligji.

Autoriteti nuk ka kompetencë ligjore të vendosë përtej dispozitave kufizuese të përcaktuara nga ligji funksional në nenin 30 të tij, si dhe të informojë për dy arsye

Së pari nga publikimet e bëra në shtyp, del se shtetasi ka ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit të Dëbim Internimeve të Rrethit Lushnje. Por për tu përshirë në përcaktimet e nenit 30 të ligjit duhej të rezultonte në detyrën e anëtarit të Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, kriter i vendosur nga ligji nr. 45/2015 dhe jo në një komision vendor. Dallim i përcaktuar qartë në ligj. Në rastin konkret pozicioni i kryetari i komitetit  ekzekutiv të rrethit nuk përfshihet në këtë nen.

Së dyti për sa i takon dokumenteve të publikuara në media për rastin, konstatohet se :  NUK janë pjesë e fondit arkivor të administruar nga Autoritetin, por ligji  nr. 45/2015, neni 13, pika 1,2,6  e tij qartësisht detyron çdo autoritet publik të rrjetit arkivor, por edhe persona fizik dhe juridikë të vënë në dijeni menjëherë AIDSSH. Për më tepër fondet e tjera të PPSH –së dhe të organizatave të tjera politiko –shoqërore mbeten të vështira për t’u përdorur nga AIDSSH, për sa kohë janë të papërpunuara në rrjetin arkivor ku ndodhen, ose të digjitalizohen gjë që ndikon në ushtrimin e detyrave funksionale të AIDSSH pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për marrjen në administrim.

Dorëzimi i këtyre dokumenteve është domosdoshmëri jo vetëm për verifikimin e zyrtarëve apo kandidatëve për tituj nderi, por edhe në zbatimin e detyrave funksionale ligjore lidhur me procesin e rehabilitimit dhe dëmshpërblimit të personave të prekur direkt me veprimtarinë e ish Sigurimit të Shtetit, e lidhur apo si pasojë e kësaj veprimtarie.

Të dy sfidat e Autoriteti, pra standardi i kufizuar ligjor për verifikim dhe kufizimi në dokumentacion arkivor janë pasqyruar në të gjitha raportimet vjetore të institucionit përpara ligjvënësit dhe do të vazhdojnë të adresohen për gjetjen e zgjidhjeve përmes ndryshimeve ligjore!

Autoriteti do vijojë të kërkojë zgjidhjen e këtyre dy sfidave me qëllim promovimin e drejtësisë, transparencës dhe respektit për viktimat e regjimit dhe mbetet i vendosur të vazhdojë të informojë publikun dhe institucionet në mënyrë të qartë, të saktë dhe të pavarur, duke kontribuar në reflektimin mbi të shkuarën represive dhe veprimeve që shkaktuan vuajtje dhe padrejtësi.

Në funksion të transparencës, dhe në dritën e fakteve të reja të publikuara në media, Autoriteti, pasi u njoh me to, rishqyrtoi rastin dhe vendosi t’i dërgojë organeve të pushtetit vendor gjetjet e reja dokumentare mbi rastin, duke i informuar ato në përputhje me kompetencat që i njeh ligji nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”.