Ballina Europë Vendim unanim/ BE miraton paketën e 19 të sanksioneve kundër Rusisë

Vendim unanim/ BE miraton paketën e 19 të sanksioneve kundër Rusisë

80
0

Bashkimi Evropian ka miratuar zyrtarisht paketën e nëntëmbëdhjetë të sanksioneve kundër Rusisë, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për të rritur presionin ndaj Moskës për agresionin e saj në Ukrainë.

Sipas Presidencës Daneze të BE-së, procedura me shkrim u përfundua pa asnjë kundërshtim nga 27 vendet anëtare, duke reflektuar unitet të plotë brenda unionit mbi këtë çështje.

Pakoja e re e sanksioneve synon eksportet ruse të gazit të lëngshëm natyror (LNG) – një sektor me rëndësi strategjike për ekonominë ruse – dhe përfshin gjithashtu masa për kufizimin e lirisë së lëvizjes së diplomatëve rusë që shërbejnë në vendet e BE-së.

“Sot është një ditë e madhe për Evropën dhe Ukrainën. Ndikimi i sanksioneve do të jetë real,” deklaroi ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, pas miratimit të paketës.

Kjo është paketa e 19-të e sanksioneve e miratuar nga BE që prej fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, dhe vjen në një kohë kur Brukseli po kërkon të godasë më thellë burimet energjetike dhe financiare të Kremlinit.