Ballina Aktualitet Atentati me bombë ndaj Ranuccit/ Pista shqiptare: Ja kush vendosi bombën ndaj...

Atentati me bombë ndaj Ranuccit/ Pista shqiptare: Ja kush vendosi bombën ndaj gazetarit italian

85
0

Nga Alba Kepi

Gazetari italian Sigfrido Ranucci, drejtues i emisionit investigativ “Report” në RAI, është viktimë e një atentati me bombë që shpërtheu në makinën e tij dhe të vajzës së tij më 16 tetor në orët e vona të mbrëmjes. Fatmirësisht, askush nuk u lëndua, por ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka ndezur alarmet për lirinë e medias në Itali.

Sipas të përditshmes Domani, pas atentatit ndaj Ranuccit, autoritetet italiane kanë marrë një sinjalizim të rëndësishëm drejtuar strukturave antimafia, ku përmendet një pistë shqiptare. Një mesazh anonim, i dërguar menjëherë pas shpërthimit, pretendon se pas ngjarjes mund të qëndrojnë persona të lidhur me klanin Shehu, një grup që vepron ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë dhe që dyshohet për aktivitete kriminale të trafikut dhe pastrimit të parave.

Në dokument përmenden edhe gazetarë të tjerë investigativë, mes tyre Nello Trocchia, i njohur për hetimet e tij mbi mafien dhe lidhjet e krimit të organizuar me politikën dhe biznesin. Emri i tij, sipas Domani, del si pjesë e një “mesazhi kërcënues” për gazetarët që po hetojnë pranë rrjeteve të krimit. Përveç Trocchia-s, në mesazh përmenden edhe Paolo Borrometi dhe Emiliano Fittipaldi.

Sipas burimeve të hetimit, dokumenti i dërguar nuk është firmosur dhe aktualisht po analizohet nga Prokuroria Antimafia për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një informacion të besueshëm apo për një tentativë për devijim të hetimeve.

Ranucci vetë ka deklaruar publikisht se nuk do të tërhiqet përballë kërcënimeve dhe se puna e tij në “Report” do të vazhdojë:

“Ky është një sulm ndaj të vërtetës dhe ndaj gazetarëve që nuk heshtin. Por ne nuk do të ndalemi,” – ka thënë ai.

Autoritetet italiane po ndjekin pistën shqiptare si një nga disa drejtime hetimi, ndërkohë që solidariteti ndaj Ranuccit dhe kolegëve të tij është shprehur gjerësisht në Itali dhe në nivel ndërkombëtar.

Kjo ngjarje vjen në një moment të ndjeshëm për gazetarinë investigative në Itali, ku kërcënimet, shpifjet dhe sulmet ndaj gazetarëve që zbulojnë lidhjet e mafies mbeten ende një plagë e hapur.