Përgjatë një viti, nga tetori 2024 e deri në tetor 2025, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka legalizuar 28 pallate në Tiranë, duke i hapur rrugë banorëve të pajisen më në fund me Certifikatë Pronësie. Në këto pallate janë afërsisht rreth 3 mijë njësi (apartamente, dyqane, garazhe e ambiente të tjera), të cilat më në fund do të jenë pjesë e qarkullimit civil dhe pronarët e tyre mund t’i shesin, dhurojnë, trashëgojnë apo t’i përdorin si garanci për kredi hipotekore pranë bankave të nivelit të dytë.
Veç të tjerash të gjitha këto prona këtej e tutje do të kenë një vlerë më lartë në treg.
Qeveria u jep mundësi banorëve të pallateve në shkelje të lejes së ndërtimit që, në mungesë të veprimit të investitorit, të marrin vetë iniciativën për përfundimin e legalizimit, duke plotësuar dokumentacionin për njësinë që posedojnë, duke bashkëpunuar me ASHK-në për përmbylljen ligjore të procesit. Më konkretisht, kur investitori nuk ka përmbushur detyrimet ligjore, banorët duhet të ndjekin këto hapa për të vijuar procedurat e legalizimit në emër të tyre:
Të përfaqësohen nga administratori ose një përfaqësues me prokurë, për koordinimin e procesit të dokumentacionit teknik dhe juridik për gjithë objektin.
Të dorëzojnë dokumentacionin bazë, që përfshin:
Kopje të dokumentit të identifikimit (ID/pasaportë);
Kontrata e sipërmarrjes/porosisë, apo çdo kontratë tjetër e lidhur me ndërtuesin/investitorin;
Të dorëzojnë dokumentet e përbashkëta për objektin, si: Aktekspertiza e ndërtimit.
Të bashkëpunojnë me specialistët e ASHK-së gjatë matjeve dhe evidentimeve në terren, për përcaktimin e saktë të sipërfaqeve dhe kufijve të çdo njësie.
Të paguajnë tarifat përkatëse për legalizimin, sipas përllogaritjeve që kryhen nga ASHK pas verifikimit teknik dhe ligjor të objektit.
Të marrin vendimin individual të legalizimit për çdo njësi banimi apo shërbimi.
Pas miratimit të vendimit, banorët duhet të vijojnë me regjistrimin përfundimtar të pronësisë në Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme, ne portalin unik qeveritar e-albania.







