Ballina Ekonomia Drafti i “Paqes Fiskale”, si do të funksionojë fshirja e borxheve tatimore...

Drafti i “Paqes Fiskale”, si do të funksionojë fshirja e borxheve tatimore dhe doganore të bizneseve

88
0

Qeveria pritet të miratojë projektligjin “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë”, i njohur ndryshe si “Paqja Fiskale”, një nismë që synon të lehtësojë barrën e akumuluar ndër vite të detyrimeve nga bizneset dhe individët, por edhe të ulë ngarkesën administrative të administratës tatimore dhe doganore.

Ekofin.al mëson se nisma që pritet të prezantohet së shpejti dhe të shkojë për miratim në Qeveri shihet si një masë e domosdoshme për të zgjidhur problemin e borxheve të pashlyera, të cilat janë bërë shpesh të papagueshme për shkak të penaliteteve, kamatëvonesave dhe vështirësive financiare të vetë tatimpaguesve.

Borxhet tatimore, 162.5 miliardë lekë të papaguara deri në fund të vitit 2024

Sipas një analize të administratës tatimore, deri më 31 dhjetor 2024 rezulton se 202,387 tatimpagues janë debitorë me rreth 162.5 miliardë lekë detyrime të papaguara.
Nga këta, 81,830 tatimpagues aktivë (40%) kanë borxhe në shumën 41.5 miliardë lekë (26%), ndërsa 120,557 tatimpagues pasivë (60%) mbajnë pjesën dërrmuese me rreth 121 miliardë lekë (74%).

Sa i përket moshës së detyrimeve, borxhet mbi 10 vjet kapin shifrën e 29.5 miliardë lekëve (18%), ato 5–10 vjet janë 75 miliardë lekë (46%), 2–5 vjet arrijnë në 32.8 miliardë lekë (20%), ndërsa 1–2 vjet përbëjnë 10.4 miliardë lekë (6%). Detyrimet më të reja janë: 6–12 muaj me 7.3 miliardë lekë (5%), 3–6 muaj me 2.9 miliardë lekë (2%) dhe deri në 3 muaj me 4.2 miliardë lekë (3%).

Në ndarje sipas natyrës së detyrimit, 98.4 miliardë lekë (60%) janë detyrime kryesore, 56.4 miliardë lekë (35%) përbëjnë gjoba dhe 7.8 miliardë lekë (5%) janë interesa.

Detyrimet doganore, 48.5 miliardë lekë të papaguara në 4,684 raste

Edhe administrata doganore përballet me borxhe të larta të pashlyera. Sipas të dhënave, deri më 31 dhjetor 2024, detyrimet doganore arrijnë në rreth 48.5 miliardë lekë në 4,684 raste.
Këto ndahen në: 13.1 miliardë lekë borxh doganor (27%), 26.5 miliardë lekë penalitete (55%) dhe rreth 9 miliardë lekë kamatëvonesa (18%).

Sipas vjetërsisë së borxheve, 25.7 miliardë lekë janë më të vjetra se 10 vjet, 18.2 miliardë i përkasin periudhës 5–10 vjet, ndërsa 4.5 miliardë lekë janë 1–5 vjet të vjetra.
Në ndarje sipas llojit të detyrimit, TVSH-ja në import përbën 16.9 miliardë lekë (35%), akciza 30 miliardë lekë (62%) dhe taksa doganore 1.5 miliardë lekë (3%).

Çfarë parashikon projektligji

Projektligji përcakton një sërë masash lehtësuese për fshirjen ose shuarjen e detyrimeve.
Sipas informacioneve që disponon ekofin.al, parashikohet fshirja e plotë e detyrimeve tatimore direkte ose indirekte të papaguara deri më 31 dhjetor 2014, përveç kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Për këto të fundit, do të fshihen vetëm dënimet administrative dhe kamatëvonesat për periudhat deri më 31 dhjetor 2024, përfshirë edhe të vetëpunësuarit në bujqësi, me kusht që kontributi i plotë të paguhet deri më 31 dhjetor 2026. Në të gjitha rastet kur paguhet principali, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen.

Për periudhën 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019, parashikohet fshirje e pjesshme në varësi të mënyrës së pagesës: nëse paguhet 50% e detyrimit deri më 30.6.2026, pjesa tjetër fshihet; nëse paguhet 75% deri më 31.12.2026 me këste mujore, fshihet pjesa e mbetur 25%. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.

Projektligji përfshin edhe faljen e detyrimeve për tatimpaguesit që kanë paguar principalin, por u kanë mbetur vetëm gjoba apo kamatëvonesa.

Rregulla të veçanta dhe kategori të përfshira

Projektligji parashikon fshirjen e detyrimeve për tatimpaguesit e çregjistruar në QKB ose në administratën tatimore deri më 31.12.2024, si dhe për gjobat e llogaritura automatikisht për deklarime të vonuara apo mosdeklarime në afat. Këto falje janë të vlefshme me kusht që deklaratat e padorëzuara të dorëzohen deri më 30.06.2026.

Gjithashtu falen gjobat për dorëzim të vonuar të pasqyrave financiare, si dhe interesat e krijuara nga ndryshime ligjore apo vendime gjyqësore me efekt prapaveprues.

Ndërkohë projektligji lejon që tatimpaguesit me tepricë kreditore të TVSH-së ose të një tatimi tjetër të përfitojnë nga fshirja pas kompensimit të tepricës, deri në masën e detyrimit të papaguar. Ky kompensim nuk zbatohet për kontributet shoqërore e shëndetësore.

Detyrimet doganore dhe rastet në proces gjyqësor

Projektligji parashikon të njëjtat parime për detyrimet doganore: fshirje e plotë për periudhat deri më 31 dhjetor 2014; fshirje e pjesshme për periudhën 2015–2019, me të njëjtat kushte si për tatimet; për periudhën 2020–2024, falja e gjobave dhe kamatëvonesave është e vlefshme vetëm nëse detyrimi kryesor paguhet plotësisht deri më 31.12.2026.

Po kështu, do të përfshihen edhe detyrimet që janë në proces ankimi administrativ apo gjyqësor, me kusht që tatimpaguesi të tërhiqet nga ankimi apo padia në çdo fazë të procesit.

Përjashtimet

Nga kjo nismë përjashtohen tatimpaguesit që kanë detyrime të lidhura me vendime gjyqësore të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore apo doganore, ose që janë në proces hetimi apo gjykimi për çështje të tilla gjatë periudhës së zbatimit të ligjit. /ekofin.al