Ballina Sport Jurgen Uldedaj shpallet kampion bote në Londër, moment historik për sportin shqiptar

Jurgen Uldedaj shpallet kampion bote në Londër, moment historik për sportin shqiptar

75
0

Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj ka shkruar historinë në “O₂ Arena” të Londrës, duke triumfuar ndaj kampionit kamerunas Rolly Lambert Fogoum dhe duke u shpallur kampion bote në versionin IBO (International Boxing Organization).

Ndeshja ishte e fortë dhe e balancuar deri në fund, por Uldedaj u dallua për qetësinë, teknikën dhe përgatitjen e lartë fizike, duke dominuar me raunde dhe fituar me meritë.

Ky sukses e ngjit 28-vjeçarin në majat e boksit botëror dhe përbën një arritje historike për Shqipërinë, pasi ai bëhet boksieri i parë shqiptar që fiton një titull botëror në boksin profesionist.

I lindur në Shqipëri dhe i formuar si sportist mes Gjermanisë dhe Anglisë, Uldedaj ka ndërtuar një karrierë të suksesshme me 21 fitore, 12 prej të cilave me nokaut. Ai ka mbajtur më herët edhe tituj prestigjiozë si WBO Youth, WBC Youth, IBF International, WBA Inter-Continental dhe IBO Mediterranean. Edhe pse stërvitet jashtë vendit, Uldedaj ka theksuar vazhdimisht krenarinë për të përfaqësuar flamurin shqiptar në çdo ndeshje.

Me këtë triumf madhështor në Londër, Jurgen Uldedaj jo vetëm konsolidon pozitat e tij në elitën e boksit ndërkombëtar, por vendos edhe një standard të ri për sportin shqiptar në arenën botërore.