Ballina Kronika Prokuroria e Tiranës zbulon një skemë faturash fiktive me kompaninë 5D

Prokuroria e Tiranës zbulon një skemë faturash fiktive me kompaninë 5D

98
0

Prokuroria e Tiranës njoftoi të enjten më 30 tetor caktimin masave të sigurimit personal ndaj tre personave të dyshuar se përmes kompanive që administronin, kryen shitje fiktive në favor të shoqërisë “5D Konstruksion”, e përfshirë sipas një hetimi paralel të SPAK në një skemë korrupsioni në vlera të mëdha.

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” ndaj të hetuarit Ilir Allmeta, ish-administrator i subjektit tregtar Allmeta 02, ndërsa Ermir Gjoklaj dhe Mirash Lula do të hetohen në masën e “detyrimit për paraqitje”.

Sipas prokurorisë, ata dyshohen për përfshirjen në krijimin e skemave mashtruese lidhur me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, TVSH; fshehjen e të ardhurave si dhe falsifikimin e vulave, stampave dhe formularëve.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, kompanitë Allmeta 02, TT dhe Valbona Alb dyshohet se kanë kryer shitje fiktive në vlerën e 370 milionë lekëve në favor të kompanisë “5D Konstruksion”, duke gjeneruar TVSH dhe Tatim Fitimi në vlerën e 108 milionë lekëve.

Po ashtu, bëhet me dije se kompania “5D Konstruksion”, e cila kontrollohej sipas SPAK nga ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Redi Molla dhe Mariglen Qato, dyshohet se ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet për punët publike të tenderuara nga Bashkia Tiranë, duke administruar dhe deklaruar faturat fiktive të lëshuara nga personat nën hetim, me vlerën rreth 370 milionë lekë.

Sipas prokurorisë, këto veprime janë realizuar përmes deklarimeve të pavërteta dhe përdorimit të faturave fiktive, me qëllim krijimin e një skemë mashtruese fiskale, që synonte përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen e bazës së tatueshme për Tatimin mbi Fitimin, duke dëmtuar interesat financiare të shtetit.

Nga hetimi ka rezultuar se vlera e plotë prej 370,2 milionë lekësh e krijuar nëpërmjet shitjeve të dyshuara fiktive, është përfshirë nga subjekti “5D Konstruksion” sh.p.k. në situacionet e punimeve të deklaruara në tenderat publikë, me qëllim rritjen artificiale të volumit dhe kostove të punimeve të kryera. Kjo vlerë është pasqyruar si shpenzim i justifikuar në dokumentacionin për zbatimin e kontratave publike, duke i mundësuar subjektit përfitues të arkëtojë nga fondet publike vlerën e plotë të këtij transaksioni fiktiv, në dëm të buxhetit të shtetit.

Prokuroria nënvizon se, veprimet fiktime të që janë kryer, jo vetëm që kanë krijuar avantazhe tatimore të padrejta, por kanë mundësuar edhe përvetësimin e pajustifikuar të fondeve publike, përmes paraqitjes së rreme të shpenzimeve në raportet financiare të tenderëve.

Bazuar në këto konstatime, hetuesit vlerësojnë se veprimet e koordinuara të këtyre subjekteve përbëjnë elementët përbërës të veprës penale të “Krijimit të skemave mashtruese lidhur me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, në bashkëpunim. Në njoftim sqarohet se po vijojnë hetimet për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë, si dhe për dokumentimin e plotë të skemës mashtruese dhe pasojave financiare të saj./BIRN/