Ballina Opinion E palumtura

E palumtura

84
0

Nga Elsa Demo

Njerëzit me të cilët më vjen të rri këto kohë janë të papunë. Merremi vesh mirë, pa fjalë, ndjejmë praninë e njëri-tjetrit, qeshim, me dhe pa ironi, edhe hidhur qeshim.

E ndiej si një vëllazëri papunësinë. Kemi krijuar batutën “kam shumë punë”, që e përdorim edhe kur është fjala për të qëruar një shegë. Është stina e shegëve. Ta qërosh këtë frut, ta shkërmoqësh kokërr për kokërr, të merr aq kohë sa mund ta kalosh ndër mend jetën tënde si një film, të djeshmen dhe të sotmen – Ne mendojmë në përjetësi, por lëvizim ngadalë nëpër kohë, thotë Oscar Wilde-i.

Them se po përjetoj një anë të gjendjes së papunësisë, e cila ngjall frikë. Njeriu mund të rrëshqasë në natën e thellësisë së oqeanit apo të zhduket në një hapësirë ku nuk e ka më peshën e trupit, të jetës.

Po mund të jetë frikë për arsye të tjera, kryesisht për këto arsye të tjera, papunësia, sepse humbet disa privilegje që puna t’i jep, sidomos kur është punë me përfitime materiale dhe komoditet që garanton status shoqëror.

Në fund të fundit, nuk mund të kesh frikë për çfarë do të bëhesh, fëmija nuk jeton me këtë frikë dhe në këtë pikë, ka se çfarë të mësohet nga fëmijët. Nuk ka pse të kesh frikë, se çfarë do të bëhesh, sikurse nuk ka arsye të jesh krenar apo të turpërohesh për çfarë ke qenë dikur. Ky misticizëm i frikës ka disa anë që gjendja e papunësisë të jep mundësinë t’i vizitosh, të hysh e të dalësh në zona që komoditeti t’i mbyll apo i bën zona të ndaluara komunikimi.

Dua të them që, përtej frikës që përcakton aspekte të jetës sonë, unë besoj tek evolucioni etik i karakterit të njeriut dhe kjo është diçka e matshme, që mund të provohet përditë, ndryshe nga optimizmi dhe energjia pozitive që llomotitet kurdo dhe për çdo gjë, si motor lumturie, duke futur edhe sëmundjet në mes, si kanceri për shembull, për leksione etike mbi jetën dhe për çfarë duhet të mendojmë.

Mund ta quaj koincidencën e duhur, që këto rrëfime bëhen në muajin e fushatës kundër kancerit të gjirit, kur Public Relations, televizionet dhe forma të tjera masive të komunikimit, po i përdorin si makinë ideologjike historitë frymëzuese dhe optimiste nga të prekurat dhe të mbijetuarat prej kancerit. Dhe kjo më mërzit.

Mërzia është vizitori tjetër i imi këto kohë, që e çmoj. Mërzia është dezinfektant efikas kundër ankthit, kundër urgjencës për t’u marrë patjetër me diçka në jetë, me qëllim që të provosh se je, që dukesh, që të të shohin; mërzia është kundër urgjencës për t’u marrë me diçka që njerëzve s’u përket, si për shembull, jeta e tjetrit dhe sëmundjet e tij; mërzia është kundër realiteteve që krijohen për t’u shitur si parajsa terapeutike.

Kancerin, meqë jemi këtu, e kanë kthyer në kalë hyjnor për një jetë tjetër të mundshme, ku, ke qenë ç’ke qenë dikur, pas një kanceri bëhesh njeri më i mirë. Të bëhesh njeri më i mirë është një ideologji mashtruese me qarkullim të gjerë, ndikim dhe besueshmëri të lartë. “…është një copë mashtrimi joshkencor”, do thoshte Wilde-i. Po, mund “të bëhesh një njeri më i thellë, privilegj i atyre që kanë vuajtur”, për faktin se dhimbja, mërzia, palumturia, ndryshe nga kënaqësia, lumturia, energjia pozitive, e të tjerë narkotikë, nuk mban maskë.

Sot po funksionon formula: fol për sëmundjen, jo për sistemin, fol sikur flitet për ringjalljen nga një lloj vdekjeje, që ka ardhur për të të vetëdijësuar për jetën tënde, dhe ti bëhesh pas kësaj përhapës i lajmit të mirë, bëhesh një ungjillor. Nëse një sëmundje nuk do të hynte në trup për fatin tënd të mirë, ç’do të bëhej me ndërgjegjen?

Ime motër nuk e kupton këtë, megjithëse brenda dy vjetësh i është nënshtruar fillimisht lumpektomisë, mastektomisë më pas për shkak të recidivit agresiv, radioterapisë, kimios, terapive imunitare, nuk e kupton frikën nga vdekja, as maskimet që i veshin sëmundjes nëpër ekrane shtëpie dhe ekrane xhepi.

E shoh nga larg, ulur nën pemën në oborrin e brendshëm të Onkologjikut. Është pema me trungun më të degëzuar. Një ditë hipa me mend nëpër degët e saj të holla dhe të lëmuara dhe dëgjoja një grua nga Mirëdita të thoshte se, andej nga anët e vendit të saj, kësaj peme ia thonë emrin “foileta”. I ka kokrrat të vogla sa të bizeles, i bëhen të zeza kur piqen dhe i hahen.

Hapësira publike e tetorit është një pinkish space e inskenuar si nga duart e Greta Gerwig-ut (Barbie). Historitë që dominojnë, pengojnë të tjera perspektiva personale mbi realitetin, për shembull, ndryshon perspektiva për të njëjtin kirurg në Onkologjik.

Pas pezullimit nga puna të një kirurgu dhe hetimeve që u ndërmorën për një rrjet menaxherësh dy vjet më parë në këtë spital, na u desh të kërkonim mjek tjetër për vazhdimin e terapisë. Po prisja t’i kërkoja sqarim një kirurgu, të cilin më vonë do ta shihja nëpër ekrane duke i bërë reklamë shërbimit shëndetësor në një klinikë private. Është i njëjti që, pasi i kishte kryer mastektomi të dyfishtë, i kishte implantuar gjinj si prej puberteti një pacienteje në prag të moshës së mesme. Kjo e falënderoi publikisht në librin e saj, tashmë një bestseller. Po prisja të sqarohesha, dhe e dëgjoja tek mbahesha në derën gjysmë të hapur të punktumit të kirurgjisë, që ai të mbaronte bisedën për racën e shit zu-ve, pak mistrece dhe e grindur si racë, ndërsa radhët e pacientëve për orë të gjata korridoreve pa ajër, thithnin gazin karbonik të njëri-tjetrit.

Në disa raste mjekët më kanë thënë: je gazetare, përdore emrin, përdore profesionin, lëvize figurën, pra… Ata e dinë që zhinxhiri i shërbimit mjekësor mund të vajiset dhe të funksionojë në një hallkë, por ngec në njëqind të tjera. Nuk e kam bërë. Familja jonë është vënë në radhë si të tjerat, ka ndjekur hierarkinë e spitaleve sekondare dhe terciale, pa patur mundësi ta zgjedhë mjekun, laboratorët apo vendet për turizëm terapeutik në Perëndim.

Kontrolli mbi realitetin që i prezantohet publikut, që është një kontroll dhe menaxhim sa shtetëror, mediatik aq edhe nga individë dhe grupe me ndikim – ndikim do të thotë kontroll dhe kontrolli nënkupton bindje – e redukton realitetin, i cili është shumë më i gjerë dhe më subjektiv, në varësi të nivelit kulturor, parasë, pushtetit dhe mbi të gjitha, në varësi të ndërgjegjes, të cilën, është edhe mërzia që e mban esëll.

Mërzia ndihmon për të kuptuar pafuqinë tënde dhe kjo nuk të bën njeri të dobët dhe as të palumtur.

Palumturia është tjetër vizitor që e pres si limfën e një kodi komunikimi me botën, siç ka kjo skenë një kod komunikimi. Aktori flet, publiku dëgjon, përvetëson, mendon. Kur kjo seancë mbaron, ndërrohen funksionet. Aktori hesht, pushon dhe publiku hidhet në jetë, vepron.

Në një pjesë teatrale, “Medea” për shembull, ku një grua damkoset si e huaj dhe dëbohet si vrasëse, publiku nuk ka nevojë të mësojë si të sillet me emocionet e veta më të errëta, por të kuptojë që, kur një njeri vuan ndëshkimin kolektiv me indiferencë dhe poshtërim, të shtrojë pyetje pse shoqëria e ka marrë atë vendim.

Atëherë mund të thuhet se aktori dhe spektatori janë në dialog, individi dhe shoqëria janë në komunikim. Nëse ky kusht nuk përmbushet, palët xhirojnë në bosh, izolohen dhe krijohet humnera në mes. Këtë e kam mësuar nga teatri dhe patjetër nga jeta, nga njerëz që i kam njohur ose jo nga afër, nëpërmjet jetës dhe punëve të tyre publike që kanë qenë arti, shkrimi, angazhimi qytetar.

Modelet e mia etike dhe jo vetëm etike, – dhe të më falni, po këtu po bëj një përsëritje të çfarë mund të kem thënë më parë – kanë qenë njerëz që nën diktaturë quheshin stonues dhe dihej çfarë i priste: shmangia, përjashtimi, duke i larguar nga profesioni, ndëshkimi me vetmi, i shpallën të çmendur, i dënuan me burg. Kur dolën andej, askush nuk iu drejtua me një mea culpa. Shoqëria nuk e ka kuptuar se çfarë u ka shkaktuar, duke e lënë të mbarsur helmin dhe urrejtjen mes nesh. Nuk është më diktati ideologjik i një shteti të izoluar, është diktati i një shteti të hapur që nuk di ta kontrollojë lirinë, po është bërë usta i kontrollit të imazhit, palumturisë, mërzisë. Kritika shpallet devijancë, kush mendon ndryshe quhet “i palumtur”, “i sëmurë”, “ka diçka që nuk shkon tek ai/ajo”, dhe kush lëvdon dhe ruan status-quo-n, është dora e ngrohtë që i duhet shoqërisë.

Vendosni vetë, nëse papunësia, mërzia dhe palumturia duhen lënë jashtë dere, apo duhen ftuar brenda.

*Fjalë e mbajtur për “Zërat në media” në Teatrin Kombëtar Eksperimental, 29 tetor 2025